E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma e Përfaqësuesve në duart e John Boehner

Dhoma e re e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan, e kontrolluar nga republikanët, zgjodhi John Boehner si kryetar të saj, duke zëvendësuar kështu kryetaren demokrate, Nancy Pelosi, me 241 vota pro dhe 173 kundër. 19 kongresistë votuan për ligjvënës të tjerë ose abstenuan. Nga Express më 06 janar 2011 në ora 13:00

Të dy dhomat e Kongresit amerikan u mblodhën të mërkurën në në Ëashington, për betimin e anëtarëve të tyre. Republikanët kanë tani shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një numër më të madh senatorësh, megjithëse shumicën e përbëjnë përsëri demokratët, një konfigurim i legjislaturës amerikane që premton se do të ndryshojë rrjedhën e zhvillimeve në Kongres.
Dhoma e re e Përfaqësuesve, e kontrolluar nga republikanët, zgjodhi John Boehner si kryetar të saj, duke zëvendësuar kështu kryetaren demokrate, Nancy Pelosi, me 241 vota pro dhe 173 kundër. 19 kongresistë votuan për ligjvënës të tjerë ose abstenuan. Zyrtarja e administrimit e votave, Lorein Miller njoftoi rezultatin.
"I nderuari John Boehner nga shteti i Ohiaos ka marrë shumicën e votave dhe zgjidhet kështu kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve të legjislaturës së 112-të të Kongresit", kumtoi ajo.
Nancy Pelosi ishte femra e parë të mbajti postin e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Kryetarja e pakicës në Dhomë i dorëzoi çekiçin e drunjtë Boehnerit.
"Dhe tani angazhohemi në simbolin e fortë të demokracisë amerikane, shkëmbimin paqësor dhe me respekt të pushtetit. I kaloj tani çekiçin, i cili është më i madh se shumica e çekiçëve këtu, por çekiçi i zgjedhjes së zotit kryetar Boehner. I dorëzoj tani çekiçin dhe besimin e shenjtë që e shoqëron atë Kryetarit të ri. Zoti të bekoftë Kryetar Boehnerin”, theksoi Pelosi.
Dhoma e Përfaqësuesve ishte e mbushur me anëtarët e zgjedhur rishtazi në Kongres, të shoqëruar në ditën e tyre të parë nga bashkëshortët, fëmijët, nipërit dhe mbesat, si dhe të afërm të tjerë. Kryetari i ri Boehner përshëndeti të shoqen, dy vajzat dhe 10 nga 11 motrat dhe vëllezërit e tij, të cilët ndodheshin në sallë. Ai u përlot kur mbajti fjalimin e parë si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
"Populli amerikan na ka besuar këtë detyrë të respektuar. Ai na kujton se sa të përkohshme janë privilegjet për të shërbyer. Ai na kujton se gjithçka këtu është detyrimi jonë ndaj tij. Mes tyre edhe ky çekiç, të cilin e pranoj me gëzim dhe mirënjohje, duke qenë i ndërgjegjshëm se nuk jam gjë tjetër veçse kujdestari i tij. Mbi të gjitha kjo është Dhoma e Popullit”, tha Boehner.
Republikanët fituan në zgjedhjet e mes-mandatit presidencial në nëntor në gjithë vendin, gjë që solli ndarjen e qeverisë në Washington. Kryetari Boehner tha se votuesit shprehën qartë porosinë se nuk janë të kënaqur me gjendjen e vendit.
"Ne jemi mbledhur sot këtu në një kohë sfidash të mëdha. Rreth një në dhjetë fqinjët tanë është në kërkim të punës. Kostoja e kujdesit shëndetësor është në rritje për familjet dhe bizneset e vogla. Shpenzimet janë tepër të mëdha dhe shumë shpejt borxhi që kemi to të eklipsojë gjithë ekonominë tonë. Legjislaturës së 112 do t’i duhet të punojë shumë dhe të marrë vendime të vështira. Nuk mund të vazhdojmë më kështu. Populli votoi për t’i dhënë fund rutinës së deritanishme dhe sot ne fillojmë të vënë në jetë udhëzimet e tij”, theksoi ai.
Boehner dhe Pelosi u zotuan se do të bashkëpunojnë, duke i kapërcyer vijat partiake kurdoherë që të jetë e mundur. Por shumë nga ligjvënësit e rinj në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat janë republikanë me qëndrime të ashpra fiskale, që përkrahen nga aktivistë të lëvizjes Tea Party, të cilët mbështesin një rol shumë të kufizuar të qeverisë dhe uljen e tatimeve dhe si të tillë mund të jenë tepër të rezervuar të bëjnë kompromis me demokratët.
Një nga çështjet kryesore në rendin e ditës të Dhomës së Përfaqësuesve është shkurtimi i shpenzimeve qeveritare, duke filluar me buxhetin e vetë qeverisë. Republikanët kanë thënë se do të votojnë javën e ardhshme për prapësimin e reformës së kujdesit shëndetësor, të nënshkruar nga presidenti Barack Obama. Kjo përpjekje ka të ngjarë të mos ketë sukses, pasi demokratët ende kanë shumicën në Senat.
Në Senat, kryetari i shumicës demokrate, Herry Reid, tha se do të vazhdojë me këmbëngulje zbatimin e synimit të presidentit Obama për krijimin e vendeve të punës dhe për forcimin e bazave ekonomike. Por edhe Ried do të ndeshë në kundërshtime të forta nga pakica e forcuar republikane në Senat.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›