E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhoma e Tregtisë: Brenda 20 tetorit propozimet për procesin e hipotekimit

14/10/2011  Jaka: Nisma për heqjen e taksave nga Bashkia favorizon biznesin

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë bashkë me grupet e interesit brenda datës 20 tetor do të paraqesin kërkesat për procesin e hipotekimit, si dhe propozimet se si mund të kryhet ai në një kohë të shpejtë dhe frytdhënëse. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka, u shpreh dje se vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak është sinjal pozitiv për një klimë miqësore ndaj biznesit dhe në të ardhmen do të bashkëpunojnë më afër me administratën e Bashkisë për të gjitha shqetësimet që ka biznesi. “Ky është një tjetër sinjal pozitiv për sipërmarrjen e qytetarëve të Tiranës, pas asaj të nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit për hipotekimin e ndërtimeve, i cili pritet të sjellë një çlirim dhe frymëmarrje për qytetarin e Tiranës lidhur me autorësinë e pronës së blerë, por të pacertifikuar. Jemi të bindur që kryetari i ri i Bashkisë krahas realizimit të premtimeve të mbajtura në fushatën e tij elektorale do të negociojë dhe tryeza me grupet e interesit, pasi janë këto grupe interesi që kanë nevojat e tyre specifike dhe ofrojnë dhe zgjidhjet konkrete për to”, - nënvizoi Jaka. Kjo frymë e realizimit të premtimeve e bërë nga kryebashkiaku, sipas Jakës, duhet të jetë një sinjal pozitiv dhe për politikëbërësit shqiptarë. “Eliminimi dhe reduktimi i 60 taksave e tarifave vendore jep edhe sinjal pozitiv për një klimë miqësore ndaj biznesit, një Tiranë të hapur për biznesin për ndërmarrjen e sipërmarrjen e lirë”, - tha Jaka. Sipas tij, heqja e rreth 60 taksave dhe tarifave vendore nga Bashkia e Tiranës do të krijojë një klimë të favorshme për zhvillimin e biznesit. Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi dy ditë më parë vetëm me votat e këshilltarëve të Partisë Demokratike nismën për reduktimin e 60 taksave e tarifave. Një pjesë e mirë e tarifave kanë të bëjnë me shërbime që ofron Bashkia e Tiranës. Kostoja financiare e heqjes së këtyre taksave dhe tarifave, sipas kreut të Bashkisë, Lulzim Basha është e pallogaritshme në raport me leverdinë që do të gjenerojë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›