Dhoma e Tregtisë nis ndihmat drejt Shkodrës
13/01/2010 Solidarizohet biznesi
Komuniteti i biznesit dorëzoi dje pranë Shtabit të Emergjencave në Shkodër ndihma për banorët e zonave të përmbytura, si ujë i pijshëm, karburant, miell dhe mallra të tjera ushqimore. Këto ndihma sa vijnë e shtohen me kontributin e ofruar nga bizneset në gjithë vendin, por edhe jashtë Shqipërisë. Kryetari i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jaka, ishte dje në Shkodër dhe vuri në dijeni përfaqësuesit e Shtabit të Emergjencës se po kontakton me homologët në Evropë. Deri më tani sipas tij përgjigje pozitive ka ardhur nga Dhoma e Tregtisë së Stambollit bizneset anëtare të të cilës do të nisin ndihma për banorët e zonave të përmbytura. “Jemi të gjithë bashkë dhe do të japim ndihmën tonë me të gjithë mundësitë që kemi”, - tha Jaka. Nismës për ndihmë ndaj këtyre banorëve i është bashkuar edhe biznesi i Kosovës. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, ishte dje në Shkodër i shoqëruar nga dhjetë sipërmarrës kosovarë, të cilët deklaruan kontributin e tyre në vlerë totale prej 120 mijë eurosh. Beqaj theksoi se populli i Kosovës është më afër se kurrë në këto momente dhe se ndihma nga ana e sipërmarrësve kosovarë do të jetë e vazhdueshme deri në momentin e përmirësimit të plotë të situatës.