Dhori Kule: “Skemë e re financimi për universitetet në vitin 2010”
Universitetet gjatë vitit 2010 do të financohen përmes një skeme të re. Lajmi bëhet i ditur nga rektori i Universitetit më të madh në vend për nga numri i studentëve që është ai i Tiranës, Dhori Kule. Në daljen e tij të parë publike për këtë vit, Kule ka deklaruar se viti 2010 do të nisë me një skemë të re për financimin e të ardhurave të universiteteve. Krahas buxhetit të përcaktuar nga Ministria e Arsimit, universitetet do të kenë mundësi që të ardhurat e tyre t’i menaxhojnë vetë për pagat e personelit, por edhe për stimujt përkatës sipas projekteve të caktuara. Po ashtu, një e re tjetër gjatë vitit 2010 për universitetet do të jetë ndryshimi i Masterave të Nivelit të Dytë. Rektori Kule ka sqaruar se këto programe studimi do të hiqen dhe do të zëvendësohen me mastera profesionalë dhe shkencorë. Në premtimet e tij për 2010-n, Kule u shpreh se ky vit do të jetë dhe fillimi i punimeve për kampusin e ri universitar, i cili do të përfshijë disa fakultete brenda një godine, duke zgjidhur kështu përfundimisht problemin e akomodimit të studentëve.
6 Janar 2010