Ministria e Brendshme: “Aleat” ka 3-4 herë ngarkesë
TIRANË – Ministria e Brendshme pohon vonesat duke u shprehur se kompania koncesionare për prodhimin e pasaportave biometrike në këtë periudhë ka 3-4 herë më shumë punë sesa në periudhat e zakonshme. “Ministria e Brendshme i bën me dije opinionit publik se procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me pasaporta biometrike po ecën me ritme të shpejta dhe duke zbatuar në mënyrë korrekte afatin dyjavor nga aplikimi tek lëshimi i pasaportës”, - thuhet në deklaratën e zëdhënësit Fatmir Konja. Sipas tij, ritmi i aplikimit gjatë muajit dhjetor ka qenë 2,3 deri edhe katër herë më i lartë se kapaciteti maksimal i ofruar fillimisht nga kompania “Aleat”.
Kompania “Aleat”, si në muajin gusht, edhe në muajin dhjetor 2009, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Brendshme, aplikoi orare të zgjatura shërbimi, madje duke shërbyer edhe në ditët e pushimit, apo dhe me shtim të stacioneve të punës, për pajisjen me pasaporta biometrike të qytetarëve, kryesisht te shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Numri i aplikimeve për pasaporta biometrike deri në fund të vitit 2009 ka arritur në 388 569 të tilla. “Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë qytetarëve jo vetëm të aplikojnë, por edhe të nxitojnë që të pajisen sa më parë me pasaportën biometrike”, - thuhet në njoftimin e djeshëm. Sipas tij, “asnjë aplikues i pasaportës biometrike që nuk e ka marrë ende atë, pas datës 26.12.2009, nuk ndalohet deri në datën 10.01.2010, në asnjë pikë kalimi kufitar, për shkak se vetëm ka aplikuar dhe nuk e ka marrë apo nuk i është prodhuar pasaporta”.
Emigrantët, në protestë për pasaportat
KORÇË - Në qytetin e Korçës, emigrantët që kërkojnë të pajisen me dokumentet e reja të identitetit, para se të kthehen në Greqi, kanë nisur ditën e djeshme një protestë. Duke parë vonesat në hapjen e zyrave të aplikimit për pasaportat biometrike, ata kanë dalë në rrugë duke bllokuar stafin e këtyre zyrave. Pas disa orë pritjesh dhe debatesh, dje në mesditë nisi puna për aplikimin për dokumentet e identitetit. “Kemi që në 2 të natës këtu dhe nuk na janë dhënë akoma dokumentet. Festat na dolën prej hundësh. Po plevitosemi këtu”, - thotë një prej protestuesve para mediave. Emigrantët thonë se nuk munden të kthehen në vendet e tyre të punës dhe prej ditësh po qëndrojnë në radhë në pritje të dokumenteve.
6 Janar 2010