Studimet e pjesshme, Universiteti i Tiranës rihap aplikimet për 478 kuota të reja pranimi
Jonida Tashi
Universiteti i Tiranës rihap sot aplikimet për studimet me kohë të pjesshme, për 478 kuota të reja pranimi, që janë përcaktuar së fundi nga ministri i Arsimit. Lajmi bëhet i ditur nga burme zyrtare pranë këtij Universiteti, të cilat sqarojnë se Universiteti i Tiranës do të rinisë pranimin e kërkesave të aplikimit për sistemin me kohë të pjesshëm, prej ditës së sotme, e për dy ditë në vijim. Aplikimet e reja për në sistemin me kohë të pjesshme, për kuotat shtesë do të kryhet në zbatim të udhëzimit nr.1, datë 04.01.2010 të ministrit të Arsimit, “Për shpërndarjen e kuotave të parealizuara dhe regjistrimin e pranimeve për plotësimin e këtyre kuotave në ciklin e parë të studimeve me kohë të pjesshme e të edukimit në distancë në IPAL, në vitin akademik 2009-2010”.
Dokumentet
Universiteti i Tiranës ka përcaktuar edhe dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzojnë kandidatët për aplikimit. Kështu, sipas njoftimit zyrtar të këtij Universiteti, dokumentacioni i nevojshëm për aplikantët është: fotokopje të noterizuar të Dëftesës së Pjekurisë së shkollës së mesme, ose fotokopje të noterizuar të ndonjë diploma tjetër studimi të fituar jashtë vendit, të vlerësuar të barasvlershme me të; Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë). Në dosje të mbahet fotokopja e kartës së identitetit ose pasaportës; Dy fotografi personale; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1500 lekësh; Deklaratë që vërteton se kandidati nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme.
Kandidatët
Kandidatët që kanë depozituar më parë dosjet e tyre në sekretaritë mësimore të fakulteteve duhet t’i plotësojnë ato me dokumentet e kërkuara. Në qoftë se kandidati fitues nuk ka Dëftesë Pjekurie, duhet të paraqesë dublikatë të Dëftesës së Pjekurisë të lëshuar nga Drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/ Zyrën Arsimore përkatëse, ose dhe dokument me listën e notave të lëshuar nga Arkiva e Shtetit dhe të sigluar në DAR/ZA. Kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme, në një program të dytë studimi, duhet të dorëzojnë në sekretaritë mësimore edhe diplomën universitare. Pas mbylljes së procesit të aplikimit, më 9 janar 2010, Universiteti i Tiranës do të shpallë dhe do të afishojë listat e të gjithë aplikantëve, të renditura sipas rendit zbritës të pikëve, duke evidentuar kandidatët fitues. Ndërkohë, regjistrimet e fituesve do të kryhen nga data 11 në datën 14 janar, nga ora 08:00 në orën 16:00 pranë sekretarive mësimore.
6 Janar 2010