E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paketa “Papandreu”, përfitimet e emigrantëve me ligjin e ri

Gazeta publikon të plotë projektligjin e qeverisë për emigrantët
Zbardhet paketa e kryeministrit Papandreu që u jep të drejtën e marrjes së nënshtetësisë dhe të drejtën e votimit emigrantëve. Projektligji i miratuar më datë 23 dhjetor nga qeveria greke pritet të kalojë në Parlament. Gazeta “Albania” sjell të plotë të gjitha pikat e draftit ligjor për marrjen e nënshtetësisë dhe kritereve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe për t’u zgjedhur. Kjo paketë është pjesë e platformës që kreu i PASOK-ut, Jorgos Papandreu, prezantoi në zgjedhjet e parakohshme. Në këtë amendament jepen të gjitha detajet se si mund të marrin të drejtën e nënshtetësisë të gjithë fëmijët që lindin në vendin fqinj, apo që mësojnë për gjashtë vjet në shkollat greke, por që prindërit e tyre kanë 5 vjet qëndrim të ligjshëm.
Paketa
Qeveria greke ka miratuar amendamentin për dhënien e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve dhe të drejtën e pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale për këta të fundit, ndërsa u hapet edhe atyre rruga e marrjes së nënshtetësisë. Lançimin e draftit të ri, kreu i qeverisë së Athinës e bëri në prani të kryepeshkopit të Kishës Ortodokse, Jeronimos. Me primatin fetar në krah, kryeministri e ka pasur më të lehtë që t’i përcjellë opinionit vendas projektamendamentin për zgjerimin e të drejtave politike të emigrantëve. Sipas amendamentit që u miratua nga Këshilli i Ministrave, të gjithë fëmijët e emigrantëve që kanë lindur në Greqi dhe kanë kryer deri në gjashtë vjet mësimet në sistemin arsimor vendas kanë të drejtë të bëhen shtetas grekë.
I vetmi kusht është që njëri nga dy prindërit të ketë pasur qëndrim të ligjshëm në Greqi për pesë vjet rresht. Kjo do të thotë që tash e tutje, fëmijët e emigrantëve mund ta marrin nënshtetësinë që në lindje, ndërsa pjesa më e madhe ka të drejtë të aplikojë sapo të mbushë moshën 18 vjeç. Dhënia e nënshtetësisë fëmijëve të emigrantëve dhe pjesëmarrja e prindërve të tyre në zgjedhjet për pushtetin lokal ishte një angazhim parazgjedhor i socialistëve, të cilët erdhën në pushtet më 4 tetor.
Ndërkaq, amendamenti parashikon ndryshime në Kodin e nënshtetësisë, ku tashmë do të përcaktohet se të drejtën për të aplikuar për nënshtetësi greke e ka çdo emigrant që mbush pesë vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi.
E drejta e votës
Nga ana tjetër, me kufizime do të zbatohet edhe pjesëmarrja e emigrantëve në zgjedhjet për pushtetin lokal, ku ata do të kenë të drejtën jo vetëm të votojnë, por edhe të zgjidhen në këshillat komunalë. Por, të drejtën e pjesëmarrjes do ta kenë vetëm emigrantët e pajisur me leje afatgjata, ose, sipas vlerësimit, rreth 1/3 e numrit të përgjithshëm të emigrantëve të ligjshëm me moshë madhore. (Më poshtë janë të plota pikat e amendamentit të qeverisë së Papandreut për dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtën për t’u zgjedhur për të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë dhe punojnë në Greqi).
Reagimet
Paketa e ndryshimeve ligjore që propozoi qeveria “Papandreu” hasi në kundërshtimin e partisë “Demokracia e Re”. Sipas saj, Partia Koalicioni Qeverisës nuk ka strategji në çështjen e emigracionit. “PASOK-u, me mendësitë e tij të përcipta, ngatërron integrimin social të emigrantëve me dhënien e nënshtetësisë dhe të drejtave politike”, - thuhet në reagimin e kësaj partie. Partia tjetër e djathtë, LAOS, e akuzon qeverinë se po tjetërson elektoratin dhe kërkon që të shtrohet në referendum mbarëpopullor çështja e dhënies së nënshtetësisë dhe të drejtave politike emigrantëve. Nga forcat e majta, Partia Komuniste vlerëson se qeveria zbaton taktikën e karotës për një kategori të kufizuar emigrantësh, ndërsa mban kamxhikun për shumicën e tyre. Koalicioni i së majtës i cilëson si hapa të nevojshëm masat e shpallura nga qeveria, por kritikon ndërlidhjen e tyre me zhvillimin ekonomik të vendit.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Greqi, partitë politike paraqitën projekte me diferenca të konsiderueshme për emigrantët. Mes tyre kishte subjekte që kërkonin largimin e tyre nga Greqia.
Kryeministri grek ka premtuar edhe një sërë përmirësimesh për emigrantët, si pagimi i sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, marrëveshja me vendet e origjinës së tyre për njohjen e sigurimeve, si dhe njohja e patentave të lëshuara nga Shqipëria për poseduesit që jetojnë dhe punojnë në Greqi. Këtë premtim, zoti Papandreu e bëri gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin Berisha disa javë më parë.

PIKAT E AMENDAMENTIT PËR EMIGRANTËT

Nënshtetësia

Kapitulli 1

Mundësia e marrjes së nënshtetësisë greke nga fëmijët e shtetasve të huaj që lindin apo ndjekin shkollën në Greqi

Neni 1

1.a - Fëmija i shtetasit të huaj që lind në Greqi dhe njëri prej prindërve banon në mënyrë të përhershme dhe ligjërisht në vend për pesë vjet rresht, merr me lindjen e tij nënshtetësinë greke, pasi prindërit parashtrojnë deklaratë të përbashkët dhe kërkesë për regjistrimin e fëmijës në regjistrin e gjendjes civile të bashkisë së vendbanimit. Nëse fëmija ka lindur para përmbushjes së afatit 5-vjeçar të qëndrimit të ligjshëm të prindit, deklarata e mësipërme dhe kërkesa e regjistrimit paraqitet me mbushjen e periudhës pesëvjeçare të qëndrimit të ligjshëm në Greqi.

2. Fëmijë të shtetasit të huaj që kanë ndjekur tri klasat e para të arsimit të detyrueshëm në shkollë greke, në Greqi dhe kanë banim të përhershëm në vend, e marrin nënshtetësinë me mbushjen e moshës së maturimit, atëherë kur paraqet kërkesë për regjistrim në regjistrin e gjendjes civile të bashkisë së vendbanimit; afati më i largët është brenda tre vjetëve që nga mbushja e moshës 18 vjeç. Nënshtetësinë greke e përfiton me deklaratë të përbashkët të prindërve edhe fëmija i shtetasit të huaj që ka plotësuar arsimimin në të paktën gjashtë klasë të shkollës greke në Greqi.

3. Nëse deklarata dhe kërkesa e regjistrimit në regjistrin e gjendjes civile të bashkisë së vendbanimit nuk dorëzohen në mënyrë të përbashkët nga prindërit deri në maturimin e fëmijës, atëherë fëmija e merr nënshtetësinë me deklaratë dhe kërkesë regjistrimi që ka të drejtë ta paraqesë vetë në bashkinë e vendbanimit; afati është brenda tre viteve që nga mbushja e moshës 18 vjeç.

4. Nënshtetësinë greke e merr që në lindje, pa qenë nevoja e deklaratës dhe kërkesës nga ana e prindërve kushdo që lind në territorin grek përderisa:

A. Nuk merr nënshtetësi tjetër dhe as mundet të marrë me deklaratë të prindërve pranë autoriteteve të huaja të një vendi tjetër.

B. Është me nënshtetësi të panjohur.

C. Njeri nga prindërit ka lindur në Greqi dhe banon në mënyrë të përhershme në Greqi që nga lindja e tij.

Pjesëmarrja në zgjedhjet për pushtetin lokal

Kapitulli 3

Neni 12
E drejta për të zgjedhur

Homogjenë dhe shtetas të tjerë të vendeve të treta, të cilët banojnë ligjërisht në vend, që kanë mbushur 18 vjeç dhe janë regjistruar në listat zgjedhore, mund të ushtrojnë të drejtën e votimit gjatë zgjedhjeve për pushtetin lokal, nëse përfshihen në një nga kategoritë e mëposhtme:

A. Posedojnë “Kartën e Posaçme të Identitetit të Homogjenit”, apo titull banimi si pjesëtar i familjes së poseduesit të kësaj karte dhe kanë mbushur pesë vjet qëndrim të ligjshëm e të vazhdueshëm, që nga parashtrimi i kërkesës.

B. Posedojnë leje qëndrimi me afat të pacaktuar apo dhjetëvjeçar.

C. U është dhënë statusi i banorit me qëndrim të gjatë

D. Janë posedues të “Kartës së banimit të përhershëm”, si pjesëtarë familjeje qytetari grek apo qytetari nga shtet anëtar i Bashkimit Europian, si dhe ata që posedojnë leje qëndrimi si pjesëtar i familjes së shtetasit grek apo shtetasit të vendit anëtar të BE-së dhe kanë mbushur pesë vjet qëndrim në Greqi.

E. Janë prindër të miturisht – shtetas grekë dhe përderisa kanë mbushur pesë vjet qëndrim të ligjshëm në Greqi.

F. Janë njohur si refugjatë politikë

G. Posedojnë titull qëndrimi si homogjenë dhe kanë mbushur që nga marrja e këtij titulli pesë vjet qëndrimi të ligjshëm në Greqi, që vërtetohet nga autoriteti që i dha titullin.

6 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›