Taksat që paguhen me këste në Bashkinë e Tiranës
Laureta Rryçi
Bashkia e Tiranës përcakton taksat që mund të paguhen me këste. Specialistë e Bashkisë më të madhe në vend zbardhin skemën që lehtëson jo vetëm xhepat e qytetarëve por edhe të biznesit. Kështu, një pjesë e taksave vendore të detyrueshme mund të paguhet me këste ndërsa disa të tjera duhet me patjetër të paguhen njëherësh. Sipas specialistëve të Bashkisë së Tiranës, baza e taksës mbi ndërtesat është sipërfaqja e ndërtimit në metër katror e ndërtesës ose e pjesës së saj, mbi dhe nën nivelin e tokës dhe për çdo kat. Sipërfaqja në pronësi të taksapaguesit
përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë këtë pronësi.
Detyrimi për taksën mbi ndërtesën është vjetor, po kështu dhe për taksat e tjera familjare. Për këto kategori detyrimi duhet të paguhet në 2 këste. Kësti i parë paguhet brenda datës 30 Prill dhe kësti i dytë paguhet brenda datës 30 Shtator. Për çdo familje të krijuar rishtazi, afati i pagesës së taksës së gjelbër do të jetë 30 ditë nga dita e regjistrimit të saj në Zyrën e Gjendjes Civile të Njësisë Bashkiake përkatëse dhe detyrimi tatimor do të llogaritet nga muaji korrent i regjistrimit të saj.
Paketa fiskale
Paketa fiskale, jep të detajuar të gjitha kontributet që duhet të paguajnë taksapaguesit brenda këtij viti. Përsa i përket pastrimit të qytetit, sipas paketës fiskale të miratuar një vit më parë, kjo taksë do të pësojë një rritje nga viti i kaluar. Kështu, taksa e pastrimit është bërë 5 000 lekë në vitin 2010. Taksa e gjelbër ndryshon duke u bërë 500 lekë në vitin 2010. Këto vlera janë miratuar përsa u përket familjarëve. Ndërsa për bizneset ato janë pak më të larta. Taksat për biznesin e vogël kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Kështu, objektet e shitjes me pakicë, që bëjnë deri në 2 milionë lekë xhiro, do të paguajnë 45 mijë lekë si taksë vjetore. Kjo është më e ulëta, ndërsa për biznese që kryejnë deri në 8 milionë lekë xhiro, tarifa që ato duhet të paguajnë shkon në 143 mijë lekë në vit. Taksa e tabelës, e vendosur për qëllime reklamimi, është 1 mijë lekë metri katror në ditë. Sipas formulimit që i bëjnë ekspertët, vendosje tabele në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura do të kuptohen të gjitha ato tabela në funksion të panaireve të ndryshme, që kanë si qëllim për vete ose për të tretët. Paketa e re fiskale arrin të favorizojë bizneset, si lojëra me kompjuter, lojëra fëmijësh të hapura dhe të mbyllura, institucionet jopublike të edukimit, si shkollat, kopshtet apo çerdhet dhe subjektet që zhvillojnë aktivitet në fushën e prodhimit të produkteve ushqimore.
Sanksionet
Sanksionet që parashikohen në rastin e tejkalimit të afateve
Mosrespektimi i afateve të përcaktuara, sipas ligjit, parashikon sanksione për të gjithë ata që nuk respektojnë afatet. Nëse familjarët nuk paguajnë taksat e përcaktuara me ligj, atëherë njësitë bashkiake përkatëse kanë të drejtë të mos u ofrojnë shërbimet e qytetarëve, si në rastin e mosdhënies së certifikatave. Ndërsa për bizneset që nuk do të tregohen korrekt me shlyerjen e detyrimeve do të jenë të detyruar të paguajnë më tepër se më parë. Kjo, sepse vlera e parave shtohet në masën 25 për qind të detyrimit të papaguar në afat. Të gjithë pronarëve të bizneseve të mëdha apo të vogla u bie shumë më shtrenjtë në rast se nuk tregohen korrektë me rregullat ligjore të Bashkisë. Nëse një biznes i madh, i vogël, apo edhe bizneset familjare, i paguajnë taksat para afatit të përcaktuar, do të përfitojnë deri në 10 për qind ulje të vlerës së totalit të taksave dhe tarifave vendore. Bashkia e Tiranës ka marrë masa ndëshkuese ndaj atyre që kanë neglizhuar rregulloren, ku numri i bizneseve nuk ka qenë i paktë. Ndërsa masat për familjarët nuk kanë të bëjnë me shuma parash, por atyre nuk u ofrohet shërbimi në gjendjet civile të njësive bashkiake përkatëse deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve.
Formula e re për biznesin
Në ligjin për sistemin e taksave vendore është përcaktuar se për bizneset me qarkullim më të madh se 2 milionë lekë deri në 8 milionë lekë në vit detyrimi fiskal tregues është i barabartë me shumën e detyrimit për bizneset me qarkullim deri në 2 milionë lekë, shtuar me vlerën që del nga shumëzimi i madhësisë prej 1,5 për qind për vlerën në lekë të mesit të çdo intervali prej 1 milion lekësh sipas të cilit ndahet intervali i qarkullimit 2-8 milionë lekë, përjashtuar rastet e ambulantëve dhe të transportit, të cilët kanë një mënyrë tjetër taksimi. “Duke pasur në konsideratë historikun e taksës së biznesit të vogël, prej vitit 1992 ku baza e taksës deri në 2006-n ka qenë një përqindje mbi nivelin e xhiros së parashikuar dhe shpërndarjen më të drejtë të barrës tatimore në varësi të qarkullimit të realizuar, si dhe duke pasur parasysh se aneksi 5 i ligjit qartëson dhe specifikon taksën e biznesit të vogël sipas aktiviteteve, xhiros dhe kategorisë së zonave, vendosja në ligj e koeficientit 1,5 e ka vështirësuar në praktikë zbatimin e kësaj takse dhe për këtë arsye propozohet që në ligjin bazë për taksat vendore në nenin 11 pika 4 paragrafi i dytë të hiqet”, - thekson relacioni i Financave.
Kategoritë që përjashtohen nga pagesa e taksave
Bashkia e Tiranës ka përjashtuar nga pagesa e taksave vendore ose familjare, të gjitha kategoritë në nevojë. Ajo pjesë e shoqërisë që është përjashtuar nga taksat janë të gjithë personat që janë të pajisur me dokumentet përkatëse të paaftësisë apo me dokumentet e tjera që i përjashton ata nga shlyerja e detyrimeve. Pjesë e këtyre kategorive janë veteranët, invalidët e punës dhe të luftës, të verbrit, të sëmurët paraplegjikë dhe tetraplegjikë. Ndërsa pensionistët dhe përfituesit e ndihmës ekonomike paguajnë një shumë vjetore të reduktuar prej 100 lekësh. Këto lehtësira janë krijuar në bazë të marrëveshjeve ndërinstitucionale, duke u bazuar në pamundësinë e punësimit të këtyre personave, në bazë të të ardhurave dhe nevojave që kanë. Në taksat familjare hyjnë, taksa e ndërtesës, taksa e gjelbër, taksa e pastrimit.
6 Janar 2010