Kush e qëlloi Luan Kondin?
Enver Cakaj
Ka kohë që dëgjojmë nga kronikat e zeza për vrasje, vetëvrasje, keqtrajtime, përdhunime e barbarizma gjithfarëshe. Akoma nuk e kemi marrë vesh përse jepen këto kronika kur pas tyre kemi vetëm avancim të krimeve. Nuk kemi parë e dëgjuar që Policia dhe ligji të veprojnë para se të ndodhin, por vetëm analizojnë shkaqet e ndodhjes. Çfarë analize bëjnë kur s’po parandalohen krimet? Kujt i duhen shkaqet kur humbasin jetë njerëzish? Këto ditë na u servir një shifër tronditëse, ku për nëntë muaj janë vrarë mbi 330 njerëz! Përse kaq vrasje kur nuk është bërë asnjë luftë? Termi “Iniciativë e lirë” në këtë vend është shpërdoruar duke futur brenda kuptimit të saj të vërtetë edhe vrasjen. Përse dhe cilin po vrasim? Nuk u ngopëm me vrasje një jetë të tërë? Kemi dëgjuar nëpër seanca gjyqi që vrasësit kërkojnë falje! Kujt i duhet ky pendim, pasi ke lënë fëmijët pa baba dhe gruan pa burrë? Rasti i gazetarit Luan Kondi është i rrallë, por jo i fundit, se që atë ditë e deri sot janë vrarë e janë rrahur të tjerë njerëz. E dënoi krimin pozita dhe opozita, po kush duhet ta parandalojë? Në këtë rast nuk është goditur një njeri, por shtypi i lirë. Akoma nuk janë mësuar arsye, por ato nuk kanë më vlerë. Nëse gazetari ka shkelur etikën ose ligjin, nuk ka nevojë t’i drejtohemi armës, por strukturave të Drejtësisë. Sepse kështu na ikën dy njerëz kur mund të mos ikte asnjë. Më duket sikur shumë njerëz vazhdojnë të jetojnë me mendësitë e vjetra, kur gjërat nuk thuheshin ashtu siç ishin. Shtypi e në përgjithësi media është e hapur, ku secili të debatojë me argumente e jo me armë. Përse kaq inatçorë dhe të padurueshëm ne shqiptarët? Kush e qëlloi Luan Kondin me shokë? Kjo pyetje ka një ngarkesë të rëndë brenda vetes. Nuk ka nevojë të dimë dhe të radhitim disa emra vrasësish, sepse vrasësi është vetëm një: ligji. Me ligjin nuk bëhet shaka kur ai është në duart e pastra të strukturave të shtetit. Shqiptarët e kanë vrarë frikën dhe ligjin qëkur hoqën ligjin e vdekjes. Mirë bënë, përse t’i vrasim njerëzit? E keqja është se dhe ato ligje që kanë mbetur nuk veprojnë rreptë sipas forcës që kanë. Të qëllosh një njeri do të thotë ta vrasësh. Ligji e quan tentativë dhe ashtu është, po nuk shkarkon të gjithë forcën mbi fajtorin. Dua ta konkretizoj këtë me një fakt interesant dhe drithërues. Një vajzë nga Tirana përshëndetet nga një djalë nga Durrësi disa ditë rresht derisa i japin fjalën njëri-tjetrit për t’u fejuar. Vajza nuk u shpejtua, kërkoi prindërit e tij ta zyrtarizonin fejesën që të mos kishin pengesa. Djali nuk e kishte të vështirë të merrte me vete “dajën”, “hallën”, “babanë”, “kunatën” e të kumbiset në shtëpinë e vajzës. Meqë zyrtarizimi u bë, kërkuan dhe e morën vajzën me vete. Për të mos u lodhur me hollësira, vajza përfundoi në Itali, dorë më dorë! Ata që e morën e nxorën në rrugë të punonte për pasurimin e tyre. Prindërit e morën vesh, por “miqtë” nuk u gjendën më. Ata vajzë e mori në mbrojtje një italian i ndershëm dhe mundi ta kthente vajzën në Shqipëri. Nga ana tjetër denoncoi atë vatër banditësh, që shkatërroi jetën e vajzave të nderuara. E kam dëgjuar nga goja e asaj vajze, që pa tmerrin në rrugën e Italisë, ku e kërcënonin me jetën po të mos u dorëzonte çdo ditë aq para sa u duheshin atyre. Ajo foli publikisht në një radio: “Krimi mbrohet nga shteti, sepse ai djalë që më prishi të ardhmen, u dënua vetëm me dy vjet burg”. Nuk dua ta rëndoj lexuesin me qindra fakte, me të cilat ndeshemi çdo ditë, por dua të shtroj një problem. A duhet të rishikohen ligjet për këto raste, që tmerrojnë fise të tëra? Ajo vajza, apo Luan Kondi nuk janë fillikat, kanë një fis të tërë që shqetësohen. Mirëpo ligji, edhe kur është i rëndë, vjen e zbutet, sepse në vend të burgut i afrohet një shumë lekësh! Kriminelët dhe hajdutët nuk pyesin për para, ata duan gjak. Shikoni kronikat e zeza që jep Policia e Shtetit. Shumica e të ndaluarve janë të ridënuar disa herë. Atyre nuk u bën përshtypje pse rrinë ca ditë me hekura në duar, kur me batakçillëqet e tyre pasurohen vetë, pasurojnë edhe ata që kanë ligjin në dorë.
Mjeku i nderuar, Nasi Bozheku, deklaroi një ditë në televizion se rastet me probleme nervore janë shtuar në spitalin psikiatrik! Kush i çmend këta njerëz? Kemi vite që jetojmë me strese, por ato bëjnë punën e tyre. ǒkusur kanë prindërit, miqtë e shokët e Luan Kondit të tronditen, sepse djalin ia masakrojnë kur është duke punuar? Parlamenti dhe qeveria të mos merren me gëc-vëce dosjesh e Kodin Zgjedhor, por të kontrollojnë efektin e ligjeve që nxjerrin vetë. Me ç’po shikojmë, ligjeve u duhet rikthyer e t’u hidhet pak “piper i kuq”, që ta ndiejnë fajtorët.
23 Dhjetor 2008