Topi takon fëmijët e “Zyber Hallullit” dhe të moshuarit për festat
Presidenti i vendit, Bamir Topi, ka organizuar dje një pritje speciale për fëmijët jetimë të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” në kryeqytet. Shfaqja e tyre modeste i ka dhënë institucionit presidencial ngjyrë festash dhe njëkohësisht ky ka qenë falënderimi që vogëlushët i kanë kthyer kreut të shtetit për pritjen speciale që u rezervoi në këtë prag Krishtlindjesh dhe Vitit të Ri. Mesazhi i presidentit Topi për banorët e vegjël të shtëpisë së fëmijës “Zyber Hallulli” ka qenë inkurajues dhe bartës me dëshirën për dije dhe shkollim, me qëllim që gjithsecili të mund të jetë i aftë për veten dhe sfidat në jetë. Më pas, presidenti Bamir Topi ka vizituar shtëpinë e të moshuarve në kryeqytet, për t’iu gjendur më pranë personave që edhe këtë fundviti do ta kalojnë pa familjet. Kreu i shtetit ka vlerësuar kontributin e këtyre personave që sot kalojnë pjesën e fundit të jetës në vështirësi dhe ka bërë apel që shoqëria të kontribuojë për mirëqenien dhe përkujdesin ndaj tyre.
23 Dhjetor 2008