E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e Trebickës: ”Henri Tomei ka ardhur në Tiranë. Këtë e di mirë”

Çfarë tha për Tomein denoncuesi i aferës së fishekëve. Identiteti i Tomeit, çelësi për të gjetur fijet e korrupsionit

Habjon Hasani
”Henri Tomei, pronari i firmës ”Evdin ltd”, ka ardhur vetë në Tiranë. Ju siguroj për këtë gjë. E di mirë”. Ky pohimi që i ndjeri Kosta Trebicka ka bërë gjatë dëshmisë së tij në prokurori lidhur me çështjen e trafikimit të çmimit fishekëve kinezë, që shkonin në Afganistan nëpërmjet firmës prokuruese amerikane “AEY”. Ky pohim i Trebickës është mësuar vetëm dje nga ”Albania”, pas interesimit pranë grupit të hetuesve të dosjes ”Gërdeci”. Kjo dëshmi lë të kuptohet se minimalisht zoti Trebicka është informuar për ardhjen e Tomeit dhe maksimalisht ai mund ta ketë parë me sytë e tij njeriun më misterioz të gjithë kësaj historie korrupsioni. Kush është Henri Tomei?! Ai është zyrtarisht një rezident dhe biznesmen në Bernë të Zvicrës, por autoritetet zvicerane u kanë thënë gazetarëve të këtij vendi se nuk kanë informacione dhe se për të mund të dijë më shumë vetëm CIA amerikane. Është tashmë një fakt se askush nuk e ka parë kurrë fytyrën e Tomeit dhe askush nuk e di se cili është bash personi që korrespondon me këtë emër apo me këtë nofkë!
Çelësi i enigmës
Një nga paradokset më të mëdha të skandalit të fishekëve që përfshiu Shtetet e Bashkuara dhe sidomos Shqipërinë, është fakti se pikërisht njeriu që organizoi gjithë procesin antiligjor të komisionimit (rritjes fiktive të çmimit të fishekëve nëpërmjet firmës ”Evdin ltd”), Henri Tomei, nuk gjendet askund. Në të gjithë serialin e skandalit kanë dalë dhe emra ministrash apo familjarë të zyrtarëve më të lartë, por vetëm Tomein nuk e di askush se ku ta gjejë, ta shohë dhe ta pyesë! Kush është Henri Tomei? Zoti Tomei është deri tani ”njeriu në hije” i gjithë kësaj historie, por ndonëse nuk i dihet fytyra, atij i dihen disa gjurmë. Si shembull, zoti Tomei e ka regjistruar firmën e tij ”Evdin ltd” në Qipro, por është fakt se kjo firmë operonte në Bosnjë, ku menaxher i saj ishte një shtetas boshnjak, njëfarë Adnan Sarajliç. Ky është dhe personi që ka nënshkruar kontratat mes “MEICO”-s dhe “AEY”-së në cilësinë e përfaqësuesit të firmës ndërmjetëse ”Evdin ltd”. Ai kishte të drejtë të firmoste në emër të zotit Tomei pasi me një prokurë të posaçme Tomei ia kishte dhënë këtë të drejtë Adnan Sarajliçit. Mediat boshnjake janë informuar nga organet policore se Sarajliç kishte bashkëpunuar me Tomein edhe gjatë privatizimit të një fabrike armatimesh në Malin e Zi. Kësisoj, nga këto të dhëna kuptohet se Tomei (qoftë nofkë, apo emër i vërtetë), bashkëpunëtorët e tij dhe administratorët e besuar i ka në Bosnjë, ndërsa rrezen e veprimit e ka shtrirë edhe në territorin e ish-Jugosllavisë.
Investigimi amerikan
Fill pas shpërthimit të skandalit të fishekëve në prestigjiozen ”Nju Jork Tajms”, autoritetet hetimore amerikane ia nisën punës. Gjatë kohës që këto autoritete po investigonin, paralelisht me to punonte dhe komisioni kongresial ”Uaksman”. Nga dëshmitë në këtë komision të zyrtarëve të lartë të Pentagonit u mësua se Tomei dhe Pinari ishin të skeduar në listën sekrete të Departamentit të Shtetit për trafikantët e armëve. Investigimi i autoriteteve hetimore amerikane ka përfunduar. Këto autoritete i kanë sjellë madje dhe Prokurorisë shqiptare përgjigjet e letër-porosive, ku rezultonte pikërisht se ishte Adnan Sarajliç firmëtari i kontratave. Por në këto letër-porosi nuk janë ofruar të dhëna konkrete për Tomein. Gjithsesi, është fakt se pas përfundimit të hetimit amerikan, disa kongresmenë deklaruan se ”zbardhja e trafikut të municioneve mund ta trondiste qeverinë shqiptare”.

BOX
Karakteristikat e biznesmenit Henri Tomei

Prokurorët kanë çuar pak ditë më parë letër-porosi në Zvicër, aty ku zoti Tomei rezulton i regjistruar zyrtarisht si banor dhe biznesmen i mesëm. Kjo letër porosi u dërgua për procedurë, megjithëse autoritetet zvicerane kanë deklaruar publikisht se “duhet të pyesni CIA-n” për më shumë informacion. Prokurorët shqiptarë nuk e përjashtojnë pistën se Tomei mund të jetë një emër fiktiv, megjithatë ata do të presin përgjigjen zyrtare nga autoritetet zvicerane dhe ato qipriote për të kaluar në fazën B të hetimit. Por çfarë karakteristikash duhet të mbartë dikush që të jetë “zoti Tomei”? Pikësëpari duhet që të mos jetë domosdoshmërisht “zoti Tomei”. Duket paradoksale, por emri Tomei është gjetur në Qipro, në aktin e themelimit të firmës “Evdin ltd”, e sikurse dihet botërisht, Qipro është një zonë biznesi e tipit “offshore”, në të cilën çdo biznesmeni i lejohet të prezantohet me emër të rremë kundrejt pagesës në autoritetet përkatëse. Kriteri i dytë për të qenë “zoti Tomei” është të bësh biznes në Zvicër. Kriteri i tretë është të kesh miq dhe administratorë të besuar në Bosnjë-Hercegovinë dhe gjetkë për ndërhyrjet si sekser, qoftë dhe në kontratat që lidh Pentagoni. Kriteri i katërt është të kesh mirëkuptimin e Ministrisë së Mbrojtjes në Shqipëri. Ndërsa kriteri i pestë dhe i fundit është të jesh enigmë dhe të shfaqesh ngado, duke deklaruar se je biznesmen, se nuk ke lidhje me trafikun e armëve dhe se nuk quhesh Henri Tomei.

Struktura Tomei

Tomet ---------(AEY-SHBA)

Poshtë Evdin ltd

Shqipëri Qipro Bosnjë

Shqipëri=(Meico Albademil)

Qipro (Zvicër Min. Mbrojtjes)

Bosnjë (Adnan Sarajliç Garrietta ltd)

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›