E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: “Trebicka, viktimë e një aksidenti të pastër”



Prokuroria e Korçës ka pushuar çështjen e vdekjes së dëshmitarit kyç të aferave të tragjedisë së Gërdecit, Kosta Trebicka. Në një konferencë për shtyp, prokurori i Përparim Vukaj ka deklaruar se Kosta Trebicka vdiq në një aksident. Nisur nga të gjitha të dhënat për ngjarjen dhe nga provat e siguruara, prokurorët kanë konkluduar se aksidenti i Kosta Trebickës ka ardhur për shkak të një kthese të menjëhershme të automjetit me të cilin po udhëtonte Trebicka. Sipas Prokurorisë së Korçës, vdekja e biznesmenit Kosta Trebicka është një aksident i pastër automobilistik, veprime të cilat janë kryer nga shoferi. Për pasojë, sipas hetuesve, kjo ngjarje nuk përbën vepër penale, ndaj dhe kjo çështje pushohet. Sipas Vukajt, aksidenti automobilistik ka ndodhur nga një prerje e menjëhershme e timonit që ka kryer drejtuesi i mjetit me mjetin tip “Nisan Patrol”, i cili drejtohej nga Trebicka. Prerja e menjëhershme e timonit nga ana e majtë, e cila ka bërë që makina të kryente edhe disa rrotullime në ajër, ka sjellë shtypjen e trupit të viktimës nga makina, gjë që ka sjellë edhe vdekjen e Trebickës, ndërsa makina është gjendur 43 metra larg kufomës. Në konferencë Prokuroria e Korçës deklaroi se për këtë ngjarje ekspertët kanë kryer ekspertizën mjeko-ligjore ndaj kufomës, ekspertizën autoteknike si dhe ekspertiza të tjera në vendin e ngjarjes si ajo e terrenit, e relievit malor etj.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›