E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhori Qiriazi, një ikonë e lirikës shqiptare

Autori i Lajmit: red.
Ne sot kemi një lajm dhe një dhimbje për të ndarë mes nesh, por jo vetëm mes nesh: Dhori Qirjazi, poeti përkthyesi dhe miku ynë i shtrenjtë nuk jeton më. Ai na ka bërë një shenjë dhe ka ikur në mënyrën më të qetë dhe të pabujshme, krejt njëlloj si jeta dhe poezia e tij. E vetmja gjë që s ka mundur të marrë me vete është poezia dhe fjala e tij. Pesëdhjetë vjet më parë, Dhori Qirjazi, midis brezit të shkrimtarëve të viteve gjashtëdhjetë, u shfaq befasues, duke paralajmëruar një buqetë të veçantë në kurorën e lirikës shqiptare .Dhe ja ka mbërritur : Fjalë pas fjale, libër pas libri, Dhori Qirjazi do të mbetet në kujtesën e sotme dhe të nesërme si një ikonë e lirikës shqiptare. Dhori Qirjazi është më së pari poeti dhe liriku i papërsëritshëm. Në bibliotekën e poezisë shqiptare, të gjitha librat e tij, që nga i pari “ Kur zemra rreh së pari”dhe deri te i fundit, ende i pambaruar deri në fund,- janë të imët, të imët, si xhevahire të fshehura, që duhen zbuluar. Dhori Qirjazi është edhe rasti i mbijetesës. Nëse besojmë se arti dhe poezia, si një thelb i artit është një komunikim me lirinë, rasti i Dhori Qirjazit është pa frikë rasti i mbijetesës, pa e tradhtuar komunikimin me lirinë. Për më shumë se tridhjetë vjet në Ersekë, në atë qytet të vogël juglindor të Shqipërisë, kur jo rrallë, ashtu si në të gjithë vendin, por atje ndoshta edhe me ashpër, frynin erëra të acarta edhe për shpirtin, edhe për lirinë e njeriut, Dhori Qirjazi nuk mund të ishte tjetër, veçse Bohemi shpërfillës përmes vargut të pabujë dhe tronditës, me thjeshtësinë dhe bukurinë e tij. Gjithë jeta e tij intelektuale ka qenë njëherazi edhe një mundim dhe në të njëjtën kohë një shpëtim. Ne sot duhet të kujtojmë dhe të nderojmë përveç poetit edhe shqipëruesin e talentuar: Robert Bërnsi, Petrarka, Nekrasovi, etj., folën një shqipe të mrekullueshme për shkak të shpirtit dhe përkushtimit të Dhori Qirjazit. Dhori Qirjazi, poeti, shkrimtari, përkthyesi dhe mësuesi i talentuar na ka bërë një shenjë të fundit dhe ka ikur. Por vargu i fundit, i shkruar nga shpirti i tij “Kam qenë i lirë” është si një testament i lënë prej tij: Na përket të gjithëve. U përket të gjithëve. Të jeni të lirë. Dhori Qirjazi, poeti dhe përkthyesi i talentuar, vdiq në Tiranë, më 2 shtator 2009, në moshën 76 vjeçare. Dhori Qiriazi lindi në vitin 1933, në Lëngëz të Kolonjës. Ka mbaruar studimet në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë, në vitin 1958 për gjuhë-letërsi dhe histori. Ka punuar si mësues në qytetin e Ersekës dhe në fshatrat e Kolonjës deri në vitin 1988, kur doli në pension.

Nga:
Dritëro Agolli, Sabri Godo,Teodor Laco, Suzana Turku, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Koci Petriti, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Nasho Jorgaqi, Nasi Lera, Petraq Zoto, Seit Mansaku , Moikom Zeqo, Albert Rakipi , Myslim Islami, Jorgji Qirjako, Valter File, Bajram Lapi.
Ky lajm është publikuar: 09/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›