E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna, FSHF vendos të enjten, Gjika: Dua ekspertë të FBI

TIRANE- Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit do të shqyrtojë të enjten ngjarjet e ndodhura në Pogradec, në sfidën mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Klubi vlonjat, nëpërmjet një shkrese zyrtare, ka kërkuar 3 pikët në tavolinë për këtë takim, për shkak se u godit gjyqtari anësor nga një tifoz korçar. Në bazë të rregullores, Flamurtari mund ta përfitojë një gjë të tillë, pasi gjyqtari nuk ishte më në gjendje të vazhdonte ndeshjen, e cila pas golit të dytë të korçarëve vazhdoi vetëm më një ekip në fushë, duke qenë se vlonjatët qëndruan pasivë. Arbitrat kanë dorëzuar raportet e tyre mbi këtë takim, që u ndërpre për 14 minuta pas gjakosjes së gjyqtarit anësor Çokaj.

Ndërkohë, pritet që edhe klubi i Skënderbeut të dënohet me një gjobë prej 2 milionë lekësh dhe zhvillimin e 6 ndeshjeve pa spektatorë. Komisionit i Disiplinës do të marrë gjithashtu në shqyrtim edhe trajnerin e Flamurtarit Shkëlqim Muça, që rrezikon të pezullohet, pasi nxiti lojtarët e tij të qëndronin pasivë në fushën e lojës. Incidentet e shfaqura në ndeshjen mes Skënderbeut dhe Flamurtarit kanë ndikuar që klima në futbollin shqiptar të rëndohet sërish, sidomos mes këtyre dy klubeve. Kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika ka akuzuar Federatën dhe kreun e saj Armand Duka se është marrë peng nga kreu i klubit korçar Agim Zeqo. Po ashtu, Gjika ka bërë ironi me deklaratat e korçarëve se tifozi që goditi arbitrin anësor mund të ketë qenë nga Vlora. “Do të kërkojmë ekspertë të FBI-së për të zbuluar këtë rast”, ka thënë kryetari i bashkisë së Vlorës dhe njëkohësisht kreu i klubit Flamurtari.
(ma.ar/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›