Dhuna bashkëshortore, ndiqen penalisht 51 burra
Shifrat zyrtare të policisë së Tiranës tregojnë për 134 femra që kanë kërkuar largimin e bashkëshortëve nga shtëpia
TIRANË- Dhuna brenda familjes, aq më tepër ajo bashkëshortore, është një fenomen tepër shqetësues për shoqërinë shqiptare por që fatkeqësisht nuk denoncohet. Edhe pse statistikat e OJQ-ve tregojnë shifra alarmante, vetëm 51 burra janë denoncuar gjatë këtij viti në polici për këtë fenomen. Ata ndiqen në gjendje të lirë nga prokuroria pasi akuzohen se kanë ushtruar dhunë psikologjike e fizike ndaj bashkëshorteve të tyre. Seksioni i mbrojtjes së të miturve dhe dhunës në familje, i krijuar në janar të këtij viti pranë Policisë së Tiranë, ka çuar për ndjekje penale burrat dhunues, ndërsa gjatë këtij viti u ka dhënë mbrojtje ligjore rreth 120 grave edhe fëmijëve. Burime nga policia tregojnë se gratë të cilat dhunohen nga bashkëshortët e tyre, paraqiten pranë zyrës së këtij seksioni, duke plotësuar kërkesë-padinë. Kjo e fundit është një formular të cilin policia ia depoziton gjykatës për të dhënë vendimin ligjor për ruajtjen e të dëmtuarës.
Shkaqet
Gjendja e rëndë ekonomike, konsumimi i tepërt i alkoolit prej burrave dhe tradhtia bashkëshortore, janë tre faktorët kryesore, të cilët shkaktojnë dhunën në familje. Burime nga policia e Tiranës thanë për “Shekullin” se këta faktorë çojnë në përdorimin e dhunës sistematike të burrave ndaj bashkëshorteve të tyre. Këto të fundit, janë paraqitur pranë zyrës së seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje për të denoncuar dhunën. Ky sektor i krijuar rreth 5 muaj e gjysmë më parë, enkas për të evidentuar dhe për t’i dhënë një zgjidhje dhunës në familje, shqyrton rastet e dhunës në familje, duke çuar dhe kërkesën në gjykatë për të mbrojtur ligjërisht gratë. Burime nga policia thanë se burrat e alkoolizuar janë personat të cilët dhunojnë më së shumti gratë e tyre. Dhuna psikologjike e fizike e ushtruar në mënyrë sistematike, ka detyruar gjykatën të japë vendimin për mbrojte të këtyre grave.
Kërkesë-padia
Gjatë këtij viti kanë qenë 134 femra, të cilat kanë plotësuar kërkesë-padinë duke kërkuar largimin e bashkëshortëve nga shtëpia. Gjykata ka miratuar 61 prej tyre duke dhënë kështu mbrojtje ligjore për rreth 120 gra e fëmijë. Burime nga policia thanë se gratë e dhunuara, paraqiten pranë zyrës së seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje ku plotësojnë kërkesë-padinë ndaj bashkëshortit të tyre. Më pas policia ia depoziton formularin gjykatës e cila pas dy javësh jep edhe vendimin. Gjatë kësaj periudhe, e dëmtuara mban kontakte me inspektorin e policisë së zonës ku ajo banon, me qëllim që ta sinjalizojë nëse dhunohet nga bashkëshorti. Burime nga policia thanë se për më shumë se gjysmat e kërkesë-padive të paraqitura në gjykatë, është dhënë vendimi për mbrojtje ligjore. Kështu burrat janë të detyruar që për një periudhë kohe të caktuar nga gjykata të rrinë rreth 2 mijë metra larg shtëpisë së tyre. Nëse policia konstaton se burri ka shkuar në banesën e tij, atëherë merret menjëherë masa e arrestit. Por nuk janë të pakta rastet kur vendimin e gjykatës e ka thyer vetë gruaja e cila ka plotësuar kërkesë-padinë. Policia bëri të ditur se ka shumë raste kur gratë pajtohen me bashkëshortët dhe i lejojnë ata të shkojnë në banesë pavarësisht se vendimi i gjykatës nuk e lejon bashkëshortin t’i afrohet më shumë se 2 mijë metra shtëpisë së tij. policia thotë se në këto raste nuk ka penalizim për gruan që ka bërë denoncim, por nëse bashkëshorti ushtron sërish dhunë atëherë ndaj tij merret automatikisht masa e arrestit.
Statistika
Nga ana e seksionit të Mbrojtjes së të Miturve dhe Dhunës në Familje për periudhën janar- maj 2008, janë kryer nëntë veprime procedurale për vepra penale të ndodhura brenda ambienteve familjare të cilat janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku janë bërë arrestime dhe konkretisht :
1. Është kryer arrestimi i shtetasit Arjan Arixhiu për veprën penale të marrëdhënies seksuale të mbetur në tentativë me kushërirën e tij shtetasen E.C 17-vjeçe.
2. Është kryer arrestimi i shtetasit Gjevalin Pjetri për veprën penale të kanosjes dhe Pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës ,ndaj ish- bashkëshortes së tij shtetases V.Gj.
3. Është kryer arrestimi i shtetasit Kadri Sadrija për veprën penale të kryerjes së veprave të turpshme, me shtetasen A.K 9-vjeçe.
4. Janë nisur materialet procedurale në Prokurori në gjendje të lirë për 51 persona të cilët kryesisht kanë ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj bashkëshorteve, një rast dhunë fizike ndaj nënës, për veprën penale të Fyerjes dhe Dëmtimeve të tjera me dashje ndaj bashkëshortes, për veprën penale të kanosjes dhe Dëmtimeve të tjera me dashje ndaj bashkëshortes etj.
5. Ndërkohë u është dhënë menjëherë mbrojtje duke u plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për 61 femra duke arrestuar në flagrancë 3 persona.
6. Është bashkëpunuar me shërbimet sociale për të bërë të mundur strehimin e dy fëmijëve në shtëpinë e fëmijës “Zyber Hallulli” pasi nëna e tyre është dënuar me tre-muaj burg .
Policia
Trajnim për të mos paragjykuar gratë e dhunuara
TIRANË- Për tu ardhur në ndihmë grave të dhunuara dhe për të mos i paragjykuar ato, u përpilua një program trajnimi të punonjësve të policisë në komunitet. Trajnimi u zhvillua me qëllim, që të aftësoheshin për të trajtuar rastet e dhunës, duke u mbështetur në Ligjin e dhunës së familje, por edhe me qëllimin për mos i paragjykuar viktimat e dhunës, duke iu dhënë atyre ndihmën ligjore, me anë të plotësimit të Kërkesë- Padive. Trajnimi u zhvillua në Komisariatet 1,2,3,4,5,6 në Tiranë dhe në Komisariatin e Policisë Kavajë gjatë harkut kohor 18-26 Shkurt të këtij viti. Gjithashtu policia e Tiranës ka kryer bashkëpunime me një sërë Shoqatash Jo fitimprurëse, të cilat ndihmojnë duke dhënë asistencën e tyre, për raste delikate që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje, si Qendra e shërbimeve dhe Praktikave të Integruara me të cilën gjatë këtyre muajve është bashkëpunuar për të marrë informacionin e duhur në trajtimin e të miturve, ku ata shoqërohen apo ndalohen nga policia. Gjithashtu në ndihmë të policisë për të ndihmuar familjet e dhunuara janë bashkuar edhe OJF të tjera si, Rrjeti kundër Dhunës mbi Baza Gjinore dhe Trafikimit përbëhet nga Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza (QKGV), Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (QAGJZH), Strehëza për gratë e abuzuara, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ), si dhe shoqata e grave “Refleksione”.