Gruevski dhe shqiptarët
“Problematiku i vogël ballkanas”, është fjalia që këto ditë rastisa ta dëgjoj nga disa kolegë që aludonin për kryeministrin, Nikolla Gruevskin, njeriun e vogël, por me ambicie të mëdha.
Agjenda politike e Gruevskit, si prioritete të qeverisë së re ka programin ambicioz ekonomik dhe kartën e alibisë për të shmangur problemet me shqiptarët dhe nëpërkëmbjen e sërishme të detyrimeve të Marrëveshjes së Ohrit.
Në pamje të parë, është rritur doza e kryeneçësisë e Gruevskit dhe djelmoshave rreth tij, pas sigurimit të shumicës absolute për të formuar qeveri edhe pa partinë shqiptare.
Në numra, realisht duket se Gruevskit nuk i janë të nevojshëm deputetë shqiptarë, për shkak të avantazhit moral dhe psiqik përballë kundërshtarëve politikë, përfshirë edhe faktorin politik shqiptar.
Gruevski, menjëherë pas rivotimit të 15 qershorit, do të fillojë kalkulimet për formimin e koalicionit qeveritar me ndonjë nga partitë shqiptare.
Pavarësisht preferencave të Gruevskit dhe interesit të partive shqiptare për të qenë në pushtet, bashkëqeverisja do të jetë e vështirë dhe me shumë sfida e të panjohura.
Vëshirësinë e bashkëqeverisjes e bëjnë platformat politike shqiptare, ku si pikë e parë, është radhitur njohja e Shtetit të Kosovës.
PDSH dhe BDI, të dyja u zotuan se, nga ditët e para të qeverisë së re do të ndodhë njohja e Kosovës, një kërkesë që vështirë, qysh në fillim dhe në atë formë, do të gëlltitet nga Gruevski, pasi që brenda koalicionit të tij, mbi 60 deputetë janë edhe deputetë serbë dhe aleatë maqedonas të Beogradit që do të jenë rezistentë të fuqishëm.
Çështja e kontestit të emrit të shtetit me palën greke dhe paralajmërimi për referendum po ashtu mund të tendosë marrëdhëniet e partneritetit të ardhshëm qeveritar. Gruevski dhe njerëzit e tij, janë gati për të përballuar presionet diplomatike dhe fushatën greke në arenën ndërkombëtare, për të përjashtuar çdo solucion që i shkon në favor Greqisë.
Ata duken të qetë për të përballuar edhe periudhën gjashtëmujore të kryesimit të BE-së nga Franca, e cila hapur deklarohet mike e Greqisë dhe në mbështetje të saj për çështjen e emrit të Maqedonisë.
Plani i brendshëm i Gruevskit çon drejt mundësisë së organizimit të referendumit për emrin, reforma të brendshme që janë paraparë në platformën e koalicionit të tij zgjedhor “Rilindja”, ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ku sigurohen vende deputetësh për pakicat jomaqedonase dhe joshqiptare si dhe vende deputetësh për diasporën.
Qeveria e ardhshme “Gruevski”, në fazën e parë, nuk përjashton që çdo parti shqiptare të nënshkruajë prioritetet kryesore ekonomike gjatë mandatit dyvjeçar dhe më pas të kalohet në çështjet e shqiptarëve.
Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i simboleve kombëtare, ligji për përkujdesje institucionale për UÇK-në, do të jetë beteja e dytë e shqiptarëve me partnerin Gruevski, pasi që gjetja e zgjidhjeve për këto çështje në realitetin e ri paszgjedhor do të jetë tejet i vështirë.
Në këto pozicione të dobësimit të faktorit politik shqiptar dhe mosunitetit, sërish, mund të ndodhë loja e zhagitjeve politike.
Parashikimet e një optimisti më të madh, mund të nxjerrin konkluza se kryeneçësia dhe taktizimet e ardhshme dhe të mundshme të Gruevskit mund të durojnë vetëm gjashtë muaj, që do të manifestohen më pas me tensione dhe krizë qeveritare, pavarësisht se cila parti shqiptare do të jetë në qeveri.
Në këtë arenë tensionesh dhe krizash të pritshme politike, bashkësia ndërkombëtare do të aplikojë monitorim të ashpër pas këtyre zgjedhjeve në Maqedoni, në plan të parë, për stabilitet dhe evitim të krizave politike.
Kjo mund të jetë një shtytje që qeveria e ardhshme të mos bëjë akrobacione politike me çështjet për finalizimin e Marrëveshjes së Ohrit, edhe pse parashikime të tilla shpeshherë rezultojnë si hipotetike.
*Autori është gazetar në Shkup