E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnje, qumështi i rrugës me konservantë kimikë

 

Specialistët e higjienës ngrenë problemin e rrezikshmërisë ndërsa policia bashkiake ka nisur bllokimin e shitjes

LUSHNJE- Specialistët e Qendrës Sanitare në qytetin e Lushnjes kanë konstatuar se qumështi që shitet në tregun e rrugës ka në përbërje të tij konservantë kimikë. Ky përbërës shërben për t`ia shtuar qumështin afatin e skadencës por është i dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Konstatimi ka ardhur pas disa inspektimesh të bëra në treg nga specialistë, ku pas analizave të bëra dhe dëshmive të fermerëve që e shesin prodhimin e tyre në treg, ka rezultuar se qumështit i hidhet një kimikat. Sipas specialistëve të institucionit të shëndetësisë, nga ky kimikat qumështi merr ngjyrë blu dhe kjo është shenja dalluese që tregon se prodhimi ka brenda konservantë shumë të dëmshëm për shëndetin e njerëzve. Menjëherë pas kësaj, policia bashkiake e qytetit ka larguar çdo ditë tregtarët ambulantë duke e konsideruar këtë treg të jashtëligjshëm dhe shitjen e qumështit në trotuare me shishe plastike të pa kontrolluar si shumë të dëmshëm për jetën e njerëzve. Kjo është edhe periudha kur në tregun e rrugës ka shumë blegtorë që duan të shesin prodhimet e tyre edhe pse policia bashkiake dhe shërbimi veterinar në Bashkinë e Lushnjes nuk kanë lejuar të shitet qumështi i pakontrolluar më parë nga organet veterinare dhe sanitare. Specialisti i higjienës në Qendrën Sanitare, Isuf Çela, thotë se “shitja e qumështit me konservantë kimikë është rrezik serioz për shëndetin e njerëzve. Përdoruesit nuk e dine se qumështi në tregun e rrugës është me përzierje kimike dhe ai vihet re nga ngjyra blu. Që do të thotë se nga përdorimi i tij me përzierës të tillë, shëndeti vihet në rrezik dhe ka pasoja të pa riparueshme. Shqetësimin e kemi bërë të njohur duke publikuar këtë fakt me mjete të ndryshme të informacionit me synim që blerësit t’iu drejtohen njësive të licencuara për të blerë qumësht dhe nënprodukte të tij”. Shitësit e qumështit në tregun e rrugës kanë gjetur dhe një zgjidhje tjetër për të tregtuar me çdo kusht prodhimin për të mos e lënë të shkojë dëm. Shumë tregtarë trokasin në familje qytetare me shishe qumështi në dorë kundrejt një tarife pak më të ulët. Edhe në këtë rast, prodhimi ka në përbërje konservantë kimikë, por tregtarët e rrugës nuk duan t`ia dinë për efektet negative që sjellin këto kimikate në organizmin e njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›