E Diel, 1 Nëntor 2026

Pacolli zgjidhet President i Kosovës, Krasniqi hapur kundër Thaçit

Biznesmeni dhe njëkohësisht kryetari i Aleancës Kosova e Re, është zgjedhur dje President i ri i Kosovës, në raundin e tretë të votimeve në Kuvend. Nga 67 deputetë që kanë votuar, 62 i kanë dhënë votën Pacollit, ndërkohë që 4 të tjerë kanë votuar kundër. Votimi u përsërit, pasi në dy raundet e para Pacolli nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme të shumicës së deputetëve të Kuvendit. Në raundin e parë dhe të dytë, zoti Pacolli fitoi 54, përkatësisht 58 vota, por pas një pauze rreth 45-minutëshe, të cilën e kërkoi Partia Demokratike e Kosovës, 67 deputetët e Kuvendit u kthyen në sallë dhe dhanë miratimin e tyre për kandidaturën e Pacollit. Kërkesën e Partisë Demokratike të Kosovës për shtyrje të seancës pas raundit të dytë, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, e cilësoi si antikushtetuese dhe presion mbi deputetët. Në fund të votimit, zgjedhjen e Pacollit si President, Krasniqi e komentoi me shprehjen “pauza ishte e suksesshme”. Deputetët e tri forcave politike në opozitë, LDK, AAK dhe Vetëvendosje, e braktisën sallën e Kuvendit, që në fillim të seancës, duke e kundërshtuar kandidaturën e Pacollit për President të vendit, por edhe qeverinë e re të Kosovës, që votohet pas zgjedhjes së Presidentit. Ata e cilësuan kryetarin e AKR-së si figurë jounifikuese dhe vlerësuan se zgjedhjet e 12 dhjetorit nuk janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe rrjedhimisht, sipas tyre, ato nuk kanë ofruar një president konsensual. Behgjet Pacolli ishte i vetmi kandidat për President, pas një marrëveshjeje për krijimin e një koalicioni qeverisës ndërmjet PDK-së dhe AKR-së. Marrëveshja i siguroi Pacollit kandidaturën për President dhe sipas saj, partia e tij merr edhe tre dikastere ministrore dhe një post të zëvendëskryeministrit në qeverinë e re të Kosovës. Pacolli është Presidenti i tretë i Kosovës që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Presidenti i parë ishte i ndjeri Ibrahim Rugova dhe pas vdekjes së tij detyrën e mori Fatmir Sejdiu nga radhët e LDK-së. Me 65 vota pro, 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi përbërjen e Qeverisë së re, në krye të së cilës është zgjedhur Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së. Ndarja e posteve në kabinetin e ri qeveritar është bërë në bazë të marrëveshjes së arritur midis PDK-së, AKR-së dhe partive minoritare. Votimi për qeverinë pasoi tre raundet e votimit për President.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›