E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna e fëmijëve, 85% mjekëve të painformuar

 

Mjekët e familjes dhe të shkollave nuk kanë njohuritë e mjaftueshme për të adresuar ku duhet fëmijët e dhunuar. Këtë dëshmon Studimi i Institutit të Shëndetit Publik mbi vlerësimin e njohurive, qëndrimeve dhe nevojave të mjekëve të familjes dhe të shkollave për dhunën ndaj fëmijëve. Në të saktësohet se rreth 85 për qind e mjekëve të familjes nuk njohin siç duhet shenjat e dhunës ndaj fëmijëve, ndaj kanë nevojë të trajnohen.
Sipas të dhënave rezulton se 58 % e bluzave të bardha nuk e konsiderojnë dhunë ironizimin dhe frikësimin ndaj fëmijëve. Ndërkohë, 62 % e tyre nuk e konsiderojnë dhunë mungesën e afeksionit dhe vëmendjes. Gjithashtu, 26 % e tyre raportojnë se nuk janë përballur me një fëmijë të dhunuar. Një përqindje e lartë e mjekëve nuk konsiderojnë dhunë, jo vetëm atë fizike me gjuajtjet me pëllëmbë, apo shkuljen e flokëve, por edhe kërcënimin për braktisje dhe heqje të drejtash. Kjo mungesë njohurie mbi format e dhunës, bën që mjekët të jenë pasivë ndaj parandalimit të këtyre sjelljeve. Specialistët e ISHP e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm dhe imediat trajnimin e mjekëve të familjes për të ndryshuar njohuritë, qëndrimet dhe sjelljet ndaj fëmijëve të dhunuar. Ata bëjnë me dije se një fëmijë quhet i dhunuar edhe kur e fyen, ironizon, frikëson, e lë pa vëmendje apo dhe e tremb se do ta lësh vetëm, apo se do t’i heqësh disa nga të drejtat e tij, nëse vazhdon të gabojë. Në studim u përfshinë 200 mjekë familjeje dhe shkollash të Tiranës (50 mjekë shkollash dhe 150 mjekë familjeje), të cilët kanë plotësuar pyetësorin përkatës gjatë periudhës shkurt-prill 2009. Ky pyetësor mbledh të dhëna rreth qëndrimeve të mjekëve ndaj dhunimit të fëmijëve, aftësisë së tyre për të dalluar simptoma psikosomatike tek një fëmijë i dhunuar, njohurive rreth përgjegjësive të tyre ndaj një fëmije të dhunuar dhe nivelit të informimit të tyre mbi institucionet, ku mund të referohen këta fëmijë. Nëpërmjet pyetësorit janë marrë të dhëna edhe rreth nevojave të mjekëve në këtë fushë, për të trajtuar në mënyrë sa më efeciente rastet e fëmijëve të dhunuar, si dhe për të parandaluar këtë fenomen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›