E Diel, 1 Nëntor 2026

“Sa do përfitojnë komunitetet fetare nga legalizimet”

 

Vetëm nga legalizimi, përfitimi i komuniteteve fetare, i kalon qindra milionë lekë. Në një intervistë për gazetën, kryetari i Komitetit Shtetëror për Kultet, shpjegon të gjitha përfitimet që do të kenë komunitetet fetare, pas dekretimit të ligjit “Për financimin e Bashkësive Fetare nga Shteti”. Vetëm nga legalizimet, përfitimet sipas Rasim Hasanaj, i kalojnë qindra milionë lekë.
Zoti Hasanaj, këto ditë Presidenti i Republikës, zoti Bamir Topi dekretoi Ligjin “Për financimin e Bashkësive Fetare nga Shteti”. Cili është thelbi i tij?
Së pari, dua t’iu falënderoj për intervistën dhe të shpreh mirënjohjen për hapësirën e krijuar për të shpjeguar thelbin dhe mundësitë e mëdha, që u krijohen bashkësive fetare të vendit tonë nga implementimi i këtij ligji. Në vijim të punës për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshjet ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bashkësive Fetare, u hartua ky ligj që tashmë e kemi të dekretuar edhe nga Presidenti i Republikës. Ligji për financimin e bashkësive fetare është realizuar nën kujdesin e Qeverisë dhe veçanërisht të Kryeministrit Sali Berisha. Ky ligj është i pari i një Qeverie Demokratike për vendin tonë, ndërkohë që tashmë dihet që vendet e tjera të Evropës e kanë prej kohësh. Ky ligj në thelbin e vet merr përsipër të mbështesë menjëherë financiarisht bashkësitë fetare tradicionale që kanë nënshkruar Marrëveshje me Shtetin. Ai krijon hapësira që në të ardhmen, mbi bazën e mundësive të buxhetit të shtetit, ato të fitojnë mbështetje edhe më të madhe. Ai merr përsipër të kompensojë deri në një farë mase dëmet e pallogaritshme, që regjimi i kaluar u ka shkaktuar bashkësive fetare në vendin tonë.
Cilat do të ishin disa nga demet që u janë shkaktuar këtyre bashkësive para 1967?
Këtu është vendi të përmendim se Shqipëria është rast unikal ne botë ku me ligj u ndalua çdo veprimtari fetare dhe u shkatërruan me dhunë infrastruktura e bashkësive fetare, duke rrënuar plotësisht 138 objekte kulti. Ndërkohë që shumë të tjerë u tjetërsuan, duke u kthyer në reparte ushtarake, qendra e klube për rininë, pijetore e pallate sporti, etj. Po kështu u dënuan me vdekje, burgim e internim 302 klerikë. Por edhe pas viteve ‘90 për arsye të zvarritjes, moszbatimit dhe boshllëqeve ligjore, u përfituan nga të tretët, në mënyrë të parregullt, me qindra hektarë tokë dhe shumë objekte mbi pronat e bashkësive fetare, probleme të cilat vazhdojnë të kenë pasojat e tyre në problematiken e bashkësive fetare duke bërë që ato të ndjehen ende të dobëta ekonomikisht.
Shteti ynë është laik. A mendoni se duhet që taksapaguesit të paguajnë edhe për bashkësitë fetare?
Unë mendoj se taksapaguesit shqiptarë janë të ndërgjegjshëm se duhet kontribuar për financimin e bashkësive tona fetare, të cilat japin një ndihmesë të ndjeshme në edukimin shpirtëror të njerëzve dhe kërkon në vazhdimësi që të ruhet e të forcohet më tej harmonia ndërfetare në vendin tonë. Kjo është një traditë shtetërore shqiptare, duke filluar nga koha e Mbretërisë, ndërkohë që është dhe një praktikë e vendeve evropiane, si Gjermania, Hungaria, Turqia, Rumania. Madje edhe në Francë, që njihet si një nga vendet më laike në botë, në krahinën e Alzasës, shteti për hir të traditës, financon plotësisht pagat e klerikëve. Po ju sjell një fakt tjetër: Kroacia, një shtet me një popullsi pothuajse të barabartë me Shqipërinë jep çdo vit 42 milionë euro për të mbështetur veprimtaritë e bashkësive fetare. Shqipëria duke qenë një vend multifetar, ku secila nga bashkësitë fetare vlerësohet si një faktor, si një model i shkëlqyer i marrëdhënieve ndërfetare për të gjitha vendet e Evropës- vetëm kjo do të mjaftonte për mbështetjen financiare të bashkësive fetare nga Shteti.
Cilat do të jenë fushat ku do të financojë shteti dhe përfitimet e bashkësive fetare?
Mbështetje për infrastrukturën e tyre, sidomos atë rrugore, në funksion të turizmit fetar për të bërë të vizitueshme objektet e shumta të kultit, që pasqyrojnë historinë e lashtë fetare tonën, si udhëkryq i qytetërimeve, kulturave dhe besimeve fetare, ku çdo turist ka çtë mësojë;
Do të mbështesë në fushën e arsimit, ku aktualisht bashkesitë fetare administrojnë 33 shkolla me 751 mësues dhe 7641 nxënës, për të cilët do të shpenzohen rreth 8,3 milione dollarë në vit. Eshtë për të përmendur se pothuajse të gjitha vendet evropiane financojnë plotësisht në këtë fushe. Hungaria p.sh., vë në dispozicion të arsimit të administruar nga bashkësitë fetare 7% të buxhetit të përgjithshëm për arsimin; Shteti do të mbështesë administratat e bashkësive fetare sipas nevojave në kohë me gjysmë page minimale për të gjithë punonjësit e siguruar;
Dhe së fundi shteti, për legalizimin e objekteve të kultit, të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar, objekteve me destinacion për shërbime sociale a shëndetësore, i përjashton bashkësitë fetare nga pagesat, që rrjedhin nga zbatimi i ligjit nr.9482, date 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar. Pikërisht kjo do të sjellë përfitime financiare të konsiderueshme për bashkësitë fetare. Eshtë rasti të theksoj se ky Ligj i mbështet financiarisht bashkësitë fetare mbi bazën e nevojave që ato kanë, duke ruajtur barazinë në trajtimin e tyre.
Cilat do të ishin synimet tuaja në të ardhmen?
Kam kënaqësinë të informoj opinionin se marrëdhëniet e Shtetit me fenë kanë ardhur gjithnjë në rritje dhe për këtë flasin ndër të tjera edhe raportet e Departamentit amerikan të Shtetit dhe Progres-raporti i Komisionit Evropian.
Ne po vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim për ta plotësuar këtë kuadër. Aktualisht, jemi në përfundim të Marrëveshjes me Vëllazërinë Ungjillore Shqiptare (VUSH) dhe po punojmë që secilit komunitet, besim, sekt fetar t’u krijohen lehtësirat e nevojshme në përputhje me konventat ndërkombëtare. Miratimi i këtij ligji të rëndësishëm me konsensus të plotë, rrit pavarësinë ekonomike të bashkësive fetare, duke sjellë një frymë të re edhe në këtë fushë të rëndësishme dhe sensitive të jetës sonë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›