Këshilli i Sigurimit shqyrton raportin e ri mbi Kosovën
Zhvillimet në Kosovë u bënë dje tema qendrore e diskutimit të vendeve që ‘drejtojnë’ Kombet e Bashkuara, mes debateve për fuqinë e misionit UNMIK. Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuar shqyrtoi dje raportin e radhës për zhvillimet në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, ku ai iu bënë apel të gjitha palëve që të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për rikonfigurimin e UNMIK-ut. Megjithëse autoritetet e Kosovës prej një kohe të gjatë kërkojnë përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, (që pas pavarësisë), Sekretari Ban Ki Moon thotë se misioni ndërkombëtar vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm përballë realitetit të ndryshuar. Në vjeshtë të vitit të kaluar Këshilli i Sigurimit miratoi me një deklaratë presidenciale udhëzimin e Sekretarit Ki Mun mbi rikonfigurimin e UNMIK-ut si një proces gjatë së cilit do të rritej roli operacional i misionit të Bashkimit Evropian, Eulex-it nën ombrellën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutës 1244. Ban Ki Mu ka theksuar qëndrimin e tij neutral ndaj statusit të Kosovës, pra as për e as kundër statusit të ri politik, por duke i konstatuar zhvillimet dhe realitetin e ri. Pwrveç pesë vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, dje në takim morën pjesë edhe ato rotative me mandat dyvjeçar, si Austria, Burkina Faso, Kosta Rika, Kroacia, Japonia, Libia, Meksiko, Turqia, Uganda dhe Vietnami. Shumica e vendeve anëtare, kryesisht ato perëndimore e vlerësuan pavarësinë e Kosovës si një zhvillim qetësues për popullatën e saj dhe për gjithë rajonin. Ndërsa Rusisë dhe Kinës, sipas RTK, pritet t’u bashkohen edhe Vietnami, Uganda, Meksiko dhe Libia, me qëndrimin e pandryshuar dhe thirrjen për një rol më të madh të UNMIK-ut dhe idenë e demoduar që edhe vetë më realisht nuk i besojnë, atë të ‘vazhdimit të negociatave për statusin e Kosovës’. Kosova u përfaqësua nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, i cili tani gëzon një pozicion më të fortë, pasi Kosova numëron 60 njohje zyrtare dhe është bërë anëtare e dy organizatave kryesore financiare ndërkombëtare, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.