Heqja e vizave, Shqipëria jashtë propozimit të BE-së
Komisioni Europian propozoi dje udhëtim pa viza në vendet Shengen, për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Mbeten jashtë Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina
BRUKSEL - Më në fund, Komisioni Europian ka propozuar dje udhëtim pa viza për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, por sërish Shqipëria mbetet jashtë, për të shpresuar vetëm nga mesi i vitit të ardhshëm.
Propozimi i djeshëm i Komisionit Europian u mundëson shtetasve të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi që, nga 1 janari i vitit 2010, të udhëtojnë pa viza drejt vendeve Schengen.
Propozimi i Komisionit Evropian duhet të miratohet nga Këshilli, pasi ky i fundit të jetë këshilluar me Parlamentin Evropian. Në deklaratën zyrtare të Bashkimit Europian, thuhet se Komisionit Europian do të ruajë përkushtimin e vet për liberalizimin e vizave edhe për qytetarët e Shqipërisë, dhe Bosnjë- Hercegovinës.
Megjithatë, ashtu siç është paralajmëruar edhe nga zyrtarët e lartë të BE-së, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ende nuk i kanë përmbushur kriteret e duhura për të qenë pjesë e propozimit të djeshëm. Nëse këto kritere plotësohen, atëherë Komisioni do të mund të përpilojë një propozim të ri që do t'i përfshijë këto vende nga mesi i vitit 2010.
Duke prezantuar propozimin e Komisionit, zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian i Ngarkuar për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë, Jacques Barrot, tha se propozimi sjell lajme vërtet të mira për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, dhe sidomos për ata të ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, të Malit të Zi dhe të Serbisë.
"Unë e di se çfarë do të thotë udhëtimi pa viza për ta. Propozimi i sotshëm vjen si rezultat i një pune intensive nga autoritetet dhe njerëzit e këtyre vendeve drejt përmbushjes së kushteve të nevojshme.
Dhe unë i përgëzoj për këtë arritje",- tha Barrot. Ndërsa Komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, theksoi se edhe Shqipëria, ashtu si Bosnjë-Hercegovina, do të vazhdojnë të njëjtën rrugë.
"Udhërrëfyesi është ende i vlefshëm dhe tërësisht i arritshëm nëse autoritetet e këtyre vendeve përkushtohen tanimë plotësisht drejt standardeve të duhura. Nëse ato vazhdojnë të përparojnë me këtë ritëm, besoj se të dyja vendet do t'u bashkëngjiten fqinjëve të tyre.
Nëse përmbushen të gjitha kushtet, Komisioni do të mund të mendojë përpilimin e një propozimi të ri, që do t'i përfshinte edhe këto dy vende nga mesi i vitit 2010",- tha ai.
Bazuar te udhërrëfyesit e paraqitur nga Komisioni, vendet e rajonit që përfitojnë nga liberalizimi i vizave kanë përparuar ndjeshëm drejt rritjes së sigurisë së pasaportave, përforcimit të kontrollit kufitar, përforcimit të kuadrit ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si edhe drejt marrëdhënieve me jashtë dhe të drejtave themeltare. Komisioni e ka monitoruar imtësisht përgatitjen e vendeve.
Kushtet janë po ato për çdo vend. Ndërsa Maqedonia i ka përmbushur kushtet e nevojshme, heqja e vizave për Serbinë dhe Malin e Zi do të varet nga arritja e standardeve të mbetura, të specifikuara në udhërrëfyesit përkatës, brenda afatit të miratimit të këtij propozimi nga Këshilli. Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina duhet të vazhdojnë më tej me përpjekjet e tyre për të marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni.
Sipas Komisionit Europian, në Shqipëri vazhdon të ketë mangësi në kuadrin institucional për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në adresimin e dobësive procedurale të lëshimit të pasaportave, si edhe në fushat e menaxhimit të kufijve
dhe migracionit.