E Shtunë, 31 Tetor 2026

KRRTRSH, Rama: Shqipëria, peng i një pushteti familjar

Kryetari i PS-së, Edi Rama, denoncon vendimet e marrë nga KRRTRSH-ja për ngritjen e një parku energjetik në Durrës dhe fabrikave të çimentos në Lezhë dhe Shkodër


TIRANË- Një ditë pas miratimit në mbledhjen e KRRTRSH-së, të lejes për ngritjen e një zone industriale dhe energjetike në Porto Romano, mbi tokat e Damir Fazlliçit, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria po mbahet peng dhe e izoluar për shkak të interesave të një pushteti familjar.


"Ndërkohë që Partia Socialiste kërkon me të drejtën që i jep, pa asnjë farë dyshimi, ligji zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, të bëjë transparencën e 28 qershorit në Berat, Tiranë e Shkodër, Sali Berisha vazhdon, në shkelje të plotë të çdo të drejte demokratike e ligjore, të shkatërrojë procesin zgjedhor dhe, njëkohësisht, të marshojë në rrugën e vendimeve shkatërruese për të ardhmen, për ekonominë kombëtare e për mjedisin tonë të përbashkët",- tha Rama, në fillim të deklaratës së tij, të mbajtur dje në mesditë në selinë rozë.


Për qëllime që s'kanë të bëjnë me të mirën e përbashkët të shqiptarëve, po vetëm përfitimin material personal e klanor, Rama shtoi se, "Berisha tregoi dje, edhe njëherë, se arsyeja pse e do me çdo kusht pushtetin, që votuesit nuk ia dhanë më 28 qershor, është që të marrë vendime si ato të djeshmet, ku me arrogancën e me injorancën e një dallkauku primitiv, u hapi rrugë zhvillimit të disa projekteve tejet të dëmshme për vendin".


Duke iu referuar pikërisht Parkut Energjetik në Durrës, lideri i opozitës theksoi se, "ky është në fakt favor për sekserin serb të oborrit kryeministror, mbi një tokë që zien nga konfliktet e pronësisë dhe ku shtohet edhe projekti për TEC-in famëkeq me qymyr, të cilin me të drejtën e Zotit, populli i Durrësit nuk e dëshiron e që ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike, duke u bërë zëdhënës të vendosur të kundërshtisë legjitime të qytetarëve durrsakë".


Kryetari i Partisë Socialiste tha se Shqipëria s'mund të jetë as vendi ku rezultatin e zgjedhjeve e imponon Kryeministri dhe as vendi ku Kryeministri imponon zgjedhje të rënda, në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, siç është i ashtuquajturi Park Energjetik në Durrës apo edhe seria e fabrikave të çimentos në Lezhë dhe Shkodër.


"Qytetarët e zonave të prekura drejtpërdrejt nga kjo maskaradë klienteliste e korruptive e KRRTRSH-së, e cila zhvillohet paralelisht me maskaradën e KQZ-së, duhet të jenë të sigurt në vendosmërinë tonë për ta ndalur me çdo mjet demokratik, dorën që shkatërron të ardhmen e një atdheu të tërë, për të pasuruar një familje të vetme, duke i bërë pasuritë e përbashkëta të shqiptarëve copa e çika për klientët e pushtetit të kësaj familjeje",- tha ai.


Duke iu drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, Rama tha se, "Shqipëria nuk është as e jotja, as e një familjeje të vetme dhe as e një palo qeverie të lindur nga bashkimi i dy ndërmarrjeve familjare, për qëllime të mirëfillta fitimi në kurriz të një populli të tërë. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve".

-------------------------------------------------------------------------------------------

Mëhilli: Rama nuk e ndryshon dot votën

TIRANË- Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, ka reaguar sërish dje ndaj qëndrimit të kryetarit të opozitës, Edi Rama. "Sërish i themi z. Rama, se koha është e shqiptarëve, e atyre që votuan për projektin e Shqipërisë europiane dhe e atyre që votuan projekte të tjera në këto zgjedhje. Koha e maskarenjve në Shqipëri ka përfunduar me përmbysjen e diktaturës komuniste.


Për sa u përket kërcënimeve e presioneve për mosnjohje të zgjedhjeve, i themi z. Rama, që ka mbetur me aleat të vetëm Nard Ndokën, se janë thjesht klithma të një humbësi, që me imagjinatën e tij të sëmurë është në gjendje të imagjinojë edhe skenarët më të kobshëm, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij politike.


Por, të gjitha këto janë përpjekje të kota z. Rama, që nuk e ndryshojnë dot votën e shqiptarëve",- tha ajo.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›