E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna na dëmton

Ekseset e fundit që ndodhën nëpër palestra kanë zemëruar drejtuesit e Federatës së Basketbollit të Kosovës. Kreu i kësaj të fundit, Fatmir Gashi frikësohet se këto incidente mund ta dëmtojnë Kosovën, e cila tashmë ka aplikuar për anëtarësim në Ligën Ballkanike. Ai premton se do të bëjë çmos që t’i parandalojë skenat e dhunës në garat e play- offit Nga Valon Konushevci më 25 prill 2011 në ora 12:26

Dy incidentet e fundit në basketbollin kosovar, pas ndeshjes Sigal Prishtina – Bambi dhe para ndeshjes Bambi – Trepça , ndodhën pikërisht në një kohë shumë të rëndësishme nga e cila varet shumë edhe e ardhmja e këtij sporti të vendit tonë.

Këto eksese ndodhën në kohën kur Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) po kalon nëpër një proces shumë të rëndësishëm, duke u përpjekur të inkuadrohet në Ligën Ballkanike.

Madje, udhëheqësit e basketbollit kosovar pranojnë se këto ngjarje mund ta dëmtojnë këtë proces shumë domethënës për ta.

“Ne veç kemi aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në Ligën Ballkanike. Për këtë e kemi njoftuar edhe FIBA Evropën, nga e cila kemi kërkuar të mos e pengojë realizimin e kësaj aspirate që kemi. Po ashtu, kemi marrë ftesë që në muajin e ardhshëm të takohemi me zyrtarë të lartë të FIBA-s”, thotë kryetari i FBK-së, Fatmir Gashi.

Ai druan se shkaku i këtyre dy incidenteve mund të zihet ngushtë nga zyrtarët e Ligës Ballkanike dhe ata të FIBA-s.

“Këto eksese mund të shndërrohen në një minus për FBK-në, por nuk do të jenë vendimtare rreth anëtarësimit tonë në Ligën Ballkanike, i cili do të ishte hapi ynë i parë drejt anëtarësimit në FIBA”, deklaroi Gashi.

“Nëse pyetemi nga zyrtarët e Ligës Ballkanike dhe ata të FIBA-s rreth kësaj ngjarjeje që ndodhi në Prishtinë, ne do t’ua sqarojmë situatën. Ne do t’u tregojmë se ndeshja ka përfunduar në mënyrën më të mirë të mundshme, por eksesi mes tifozëve dhe Policisë ka ndodhur pas ndeshjes. Ajo skenë nuk i ka pëlqyer askujt, por besoj se do të hasim në mirëkuptimin e tyre, sepse skena të ngjashme mund të ndodhin në çdo vend”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Gashi ndjen keqardhje për përleshjen që ndodhi të enjten mbrëma mes tifozëve prishtinas dhe njësitit special të Policisë së Kosovës.

“Vërtet nuk e kuptoj atë vërsulje të policëve në publik. Policia duhet të përkujdeset për ruajtjen e qetësisë, e jo të iniciojë eksese, duke rënë në provokime vetëm verbale. Rasti duhet të zbardhet, sepse është i dëmshëm për FBK-në, sepse ne po mundohemi t’i mbushim palestrat, e nuk lejojmë që dikush të na i zbrazë ato”, theksoi ai.

Kreu i basketbollit kosovar premtoi se do të bëjë çmos që t’i parandalojë skenat e dhunës nëpër palestrat sportive në vazhdim të kampionatit, e veçmas në garat e play-offit, të cilat po afrohen.

“Shumë shpejt, do të zhvillojmë takime me Policinë e Kosovës, me udhëheqës të klubeve, dhe besoj se edhe me prijësit e grupeve të tifozëve, për t’i koordinuar punët në mënyrë që t’u shmangemi ekseseve. Besoj dhe shpresoj se skena të këqija nuk do të përsëriten më në basketbollin kosovar”, përfundoi Gashi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›