Osumi, së shpejti varka për turistët
BERAT – Shtrati i Osumit shumë shpejt do të pastrohet, ndërsa bashkia ka gati një projekt për ta pajisur këtë zonë të lumit me varka lundruese. Kjo do ta bëjë zonën më atraktive për turistët e shumtë që kanë nisur t’i drejtohen qytetit muze të UNESCO-s. Falë bashkëpunimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Bashkisë së Beratit kanë nisur punimet për pastrimin e shtratit të lumit. Forca xheniere të ministrisë kanë filluar punën dje. Janë katër makineri të rënda dhe disa forca të ushtrisë që po punojnë për të pastruar në ditët në vijim shtratin e tejndotuar e ngarkuar të Osumit. Kryetari i bashkisë Fadil Nasufi u shpreh se do të hiqen 12 mijë metra kub aluvione të mbartura në 20 vitet e fundit, të cilat kanë bllokuar shtratin e lumit. Qëllimi është që të kthehet në gjendjen e mëparshme. Sipas Nasufit, punimet do të zgjasin 40 ditë. Ndërkohë që bashkia ka marrë të gjitha masat për akomodimin e personelit të ushtrisë që ka ardhur për të punuar në Berat. “Pas rikthimit të shtratit të lumit Osum në gjendjen e mëparshme, zona do të kthehet më atraktive për turistët e huaj dhe vendas. Kjo pjesë e lumit do të pajiset me varka lundruese për të argëtuar turistët. Bashkia e ka gati projektin për ndërtimin e bankinës, për të “ankoruar” varkat me lopata dhe motorë” bënë të ditur burime të Bashkisë së Beratit. Njëkohësisht bashkia ka edhe një projekt për sistemin e ndriçimit të shtratit të lumit. Prej disa kohësh qytetarët dhe bizneset e ndryshme i kishin kërkuar bashkisë që të merrte masa, pasi në stinën e dimrit lumi dilte nga shtrati duke përmbytur disa lagje. Por tashmë projekti synon që ta kthejë lumin e Osumit në një zonë turistike. Një pamje mjaft atraktive i japin edhe dy urat, ajo e muzeale e Goricës dhe ura e varur. d.xh