Dhuna ndaj Bazes, burg për Taçin dhe truprojat
Gjykata e Tiranës ka vendosur dje në mesditë masën e sigurisë "burg pa afat" për dy truprojat e Rezart Taçit, të akuzuar nga prokuroria për goditje ndaj gazetarit Mero Baze, ndërsa të njëjtën masë ka vendosur edhe disa orë më pas për Rezart Taçin. Në seancat ku mungonte vetëm Taçi, ishin të pranishëm gjyqtarja Fahrije Budo, prokurori Gjergji Tako dhe avokati Arben Prifti, si edhe 2 truprojat që u ndaluan një ditë pas ngjarjes ku mbeti i rrahur gazetari Mero Baze. Gjykata vendosi në një seancë të veçantë të japë masën e arrestit në mungesë "burg pa afat" për Rezart Taçin dhe në një seancë tjetër "burg pa afat" ndaj shtetasve të pranishëm në sallë, Blerad Liro dhe Yrgen Selfo, punonjës pranë kompanisë "Taçi Oil". Sipas gjykatës, kjo masë sigurie është kërkuar nga prokuroria për dy shtetasit që akuzohen se ushtruan dhunë ndaj gazetarit Mero Baze. Menjëherë pas vendimit të gjykatës, ka reaguar avokati mbrojtës i të akuzuarve Arben Prifti. Ai tha se do të apelojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke e konsideruar të padrejtë atë, ndërsa kërkoi si masë sigurie "detyrim paraqitje". Ndërsa burime nga prokuroria deklarojnë se ka pasur një diskutim kolegjial për kërkesat që do të paraqitnin në gjykatë. Në fund, zyrtarët e akuzës së kryeqytetit vendosën që biznesmeni Rezart Taçi duhet të qëndrojë në burg.