PS: Berisha të dorëzojë Taçin para drejtësisë
Partia Socialiste i bëri thirrje edhe dje Kryeministrit Berisha që të dorëzojë para drejtësisë klientin e tij, Rezart Taçi. Deputeti socialist, Saimir Tahiri, vuri në dukje se Taçi fshihet në shtëpinë e Kryeministrit, ndërsa akuzoi ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, se përmes disa segmenteve të caktuara të Policisë së Shtetit kanë krijuar bandat që dhunojnë qytetarët. "Sot, Policia e Shtetit është e pamundur të na tregojë vendndodhjen e Rezart Taçit dhe ecurinë e hetimeve ndaj tij. Kjo, jo sepse policia është e paaftë, por sepse për të gjetur Rezart Taçin, policisë i duhet të kontrollojë në zyrën dhe shtëpinë e Sali Berishës, sepse është atje ku fshihet Rezart Taçi dhe i gjithë korrupsioni e paligjshmëria që ai përfaqëson", tha ai. Ai i bëri thirrje Policisë së Shtetit, të mos bëhet vegël e interesave të ngushta të pushtetit, por të respektojë ligjin, qoftë dhe në ato raste që bien ndesh me interesat e familjes. "Nuk është e largët dita kur të gjithë ata që sot janë vënë në shërbim të familjes, duke shkelur ligjin e duke favorizuar korrupsionin dhe dhunën, do të përballen me drejtësinë, sepse askënd nuk mund të gënjejë mendja se Shqipëria e shqiptarët do të gjunjëzohen ndaj interesave kriminale të familjes në pushtet", vijoi Tahiri. Ai vlerësoi se është e pajustifikueshme që, në një kohë kur Sali Berisha dhe ministri i tij i Brendshëm bëjnë be rrufe për sukseset e tyre hipotetike në luftën kundër krimit, policia që ata drejtojnë nuk është ende në gjendje të sqarojë opinionin publik nëse Rezart Taçi është ende në Shqipëri apo ka kaluar kufijtë e vendit tonë.