E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pse s‘u arrestua Taçi deri pas vendimit të gjykatës

Liria e Taçit deri në masën e sigurisë në gjykatë mund të ketë ardhur për shkak të mos dashjes nga ana e prokurorisë për arrestimin e tij. Juristët dhe specialistët e policisë shpjegojnë se Rezart Taçi mund të arrestohej nga policia vetëm në kushtet e flagrancës dhe në asnjë mënyrë tjetër, pa dhënë prokuroria një urdhër, ose pa lëshuar gjykata një masë arresti. Nisur nga kushtet e flagrancës, burimet policore shpjegojnë se ato kanë të bëjnë vetëm në momentin kur ndodh një krim dhe autori i dyshuar gjendet aty. Në rast të kundërt duhet ndërhyrja e prokurorisë. Për këtë, juristët shpjegojnë se është e detajuar edhe në Kodin e Procedurës Penale. Sipas të dhënave, pikërisht në nenin 251 të Kodit të Procedurës Penale, cilësohet arrestimi në flagrancë. "Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kryejnë detyrimisht arrestimin e cilitdo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se pesë vjet. Oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kanë të drejtë të arrestojnë cilindo që kapet në flagrancë për një krim me dashje, të kryer ose të mbetur në tentativë, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet ose për një vepër penale të kryer nga pakujdesia, për të cilën ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dhjetë vjet. Kur lind nevoja e domosdoshme, për shkak të rëndësisë së faktit ose të rrezikshmërisë së subjektit, e motivuar me akt të veçantë, oficerët dhe agjentët e policisë gjyqësore kanë të drejtë të arrestojnë cilindo që kapet në flagrancë, edhe kur nuk janë kushtet e pikës 2", deklarohet në nenin 251. Ndërsa në nenin 252 shpjegohet gjendja e flagrancës, ku shprehimisht thuhet që është në gjendje flagrance ai që është kapur në kryerje e sipër të veprës penale, ose ai që menjëherë pas kryerjes së veprës ndiqet nga policia gjyqësore, nga personi i dëmtuar apo nga persona të tjerë, ose që është kapur me sende dhe prova e materiale, nga të cilat duket se ka kryer veprën penale. "Rastet e tjera parashikohen në nenin 253 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se kur ka shkaqe të bazuara për të menduar se ka rrezik ikjeje, prokurori urdhëron ndalimin e personit që dyshohet për një krim, për të cilin ligji cakton dënimin me burgim jo më të ulët në maksimum se dy vjet. Gjithashtu, policia gjyqësore kryen ndalimin me iniciativën e vet kur nuk është e mundur, për shkak të gjendjes së ngutshme, të pritet urdhri i prokurorit", shpjegojnë specialistët Kodin e Procedurës Penale. Dy ditë më parë, burime nga prokuroria ishin shprehur se nuk do të kërkonin asnjë masë në gjykatë për Rezart Taçin, megjithëse ai akuzohet nga gazetari Mero Baze për dhunë fizike. Hetuesit e çështjes thanë për gazetën "Shqip" se nuk kanë prova të mjaftueshme për t‘i kërkuar gjykatës shpalljen në kërkim të Taçit. "Provat që kemi në dispozicion nuk përmbushin elementet për fillimin e një procedimi penal ndaj Rezart Taçit, nën akuzën e goditjes për shkak të detyrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›