E Diel, 1 Nëntor 2026

"Opozita të mos qëndrojë rrugëve"

Flet europarlamentarja e Doris Pack nga Partitë Parlamentare Europiane.

Si e vlerësoni situatën politike në Shqipëri pas zgjedhjeve të 28 qershorit?

Rezultati është çmuar nga komuniteti ndërkombëtar e nëse ata thonë se këto zgjedhje ishin korrekte, nuk më duket e drejtë që opozita të thotë se nuk ishin korrekte. I kërkoj opozitës ta marrë këtë detyrë përsipër me seriozitet. Ata janë zgjedhur për të punuar në Parlament e jo që ta bojkotojnë atë dhe nuk ndryshon asgjë nëse rrinë rrugëve. Demokracia funksionon me pozitë dhe opozitë, nëse opozita nuk është në Parlament, nuk mund të influencojë mbi asnjë ligj. Unë e kam thënë dhe kur të tjerët bojkotuan Parlamentin "ju lutem, futuni brenda", dhe e përsëris dhe tani.

A duhet të rihapen kutitë e votimit përmes një hetimi parlamentar?

Nëse ata janë brenda Parlamentit mund të kërkojnë të hetojnë ç‘të duan, por nuk mund të kërkojnë rihapje të kutive. Kjo nuk është e mundur, sepse zgjedhjet janë vlerësuar si të drejta e korrekte dhe ky kapitull është mbyllur. Ata duhet të nisin të punojnë për të ardhmen e vendit.

Si e shihni bashkëpunimin qeverisës mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për integrim?

PD-ja dhe partia e Ilir Metës arritën një marrëveshje për koalicion dhe ky fakt është i mrekullueshëm. Jam e lumtur që ndodhi dhe që tashmë vendi ka një qeveri të qëndrueshme. Të dy këto parti kanë devotshmërinë për ta çuar vendin drejt unionit dhe mendoj se së bashku do t‘ia mbërrijnë këtij menaxhimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›