E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna ndaj gruas, protesta në Vlorë e Shkodër

Drejtuese të shoqatave në mbrojtje të grave dhe dhjetëra qytetare kanë marshuar në rrugë, ndërsa kanë denoncuar rastet në rritje të dhunës në familje

Dy protesta kundër dhunës ndaj gruas janë zhvilluar dje në Vlorë dhe Shkodër. Shoqatat për mbrojtjen e grave kanë iniciuar këto protesta që synojnë sensibilizimin e shoqërisë kundër dhunës në familje dhe sidomos asaj që ushtrohet ndaj gruas. Protestat në të dy qytetet kanë denoncuar shtimin, sipas tyre të dhunës, ndërsa kanë kërkuar që shoqëria të mos heshtë më ndaj saj.

Protesta në Shkodër

“Të gjithë së bashku: Ndal dhunës ndaj grave!”, ka qenë mesazhi i dhënë paraditen e së premtes nga qendra e qytetit të Shkodrës, në Ditën ndërkombëtare për eliminimin e dhunës ndaj grave. Gra dhe vajza të qytetit i janë bashkuar kësaj dite me sloganet kundër dhunës ndaj femrave, një fenomeni që fatkeqësisht, pjesa më e madhe e shoqërive në botë e përjetojnë çdo ditë. Ky aktivitet u organizua nga qendra “Gruaja tek Gruaja” dhe sipas drejtueses së saj, Majlinda Angoni, është koha kur të gjithë duhet të mos heshtim, por të denoncojmë çdo rast dhune ndaj grave e vajzave, pasi vetëm kështu mund të jemi një shoqëri e civilizuar, një shtet i përparuar dhe një demokraci e vërtetë që aspiron integrimin në Evropë. Dhuna ndaj femrave, e pranishme kudo në vendin tonë dhe e pranuar edhe nga shteti, ndeshet në përmasa jo të vogla dhe në qarkun e Shkodrës. Sipas të dhënave zyrtare, numri i rasteve të dhunës ndaj femrave të denoncuara në polici gjatë këtij viti ka pasur rritje. Një vit më parë ishin 14 raste dhune të denoncuara në polici, dhe vetëm gjatë dy muajve të fundit të këtij viti u shënuan 11 raste të denoncuara, ndërkohë që gjatë 2011-ës kemi edhe një rast vrasjeje të një gruaje në këtë qark, ku i dyshuar është bashkëshorti i saj.

Protesta në Vlorë

Ndërkohë, ashtu si në Shkodër, edhe në Vlorë me rastin e Ditës ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave, dhjetëra vajza dhe gra kanë marshuar në bulevardin “Ismail Qemali” me pankarta në duar, të tilla si "Jo dhunës ndaj grave!", "Stop dhunës në familje!”, u kanë bërë thirrje institucioneve të ndërmarrin masa për të frenuar dhunën në familje.

Drejtoresha e Qendrës psikosociale "Vatra", Brikena Puka ka folur në lidhje me këtë aktivitet. "Me rastin e 25 Nëntorit, Ditës ndërkombëtare të dhunës ndaj gruas, institucionet e Vlorës, Bashkia, Policia, Universiteti, DSHP, DAR si dhe anëtarë të komunitetit, iu bashkuan këtij aktiviteti sensibilizuese”, - u shpreh ajo. Puka ka deklaruar dhe rastet e regjistruara pranë Qendrës “Vatra”, ndërkohë që theksoi se "gjithmonë e më tepër ka gra dhe vajza që denoncojnë dhunën. Vetëm për vitin 2010, Qendra ‘Vatra’ mbështeti 95 gra dhe vajza viktima të dhunës në familje dhe 39 fëmijë të këtyre të fundit. Ndërsa për vitin 2011, kemi mbështetur 73 viktima të dhunës në familje, gra dhe vajza”. Djana Kolaj/ Ervin Haruni

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›