Vrau fqinjin, dorëzohet bashkë me armën e krimit i riu
Kurbin-Dorëzohet në polici 19-vjeçari që akuzohet për vrasjen e bashkëfshatarit të tij pas një konflikti për pronën mes të afërmve. Policia e Kurbinit njoftoi se ka bërë të mundur arrestimin e Elton Kolës (Gega), autori i dyshuar i vrasjes së Kastriot Brozit nga fshati Skuraj i rrethit të Kurbinit. Arrestimi i Kolës ka ardhur pas negociatave të vazhdueshme të policisë me familjarët e tij dhe njëkohësisht me autorin e krimit, të cilin e ka bindur që të dorëzohet në polici së bashku me armën e krimit.
Policia ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme ajo kishte identifikuar vendin ku fshihej i dyshuari dhe gjatë një komunikimi me të i ka njoftuar se ishte rrethuar dhe se nuk kishte mundësi të largohej. Falë negociatave, 19-vjeçari ka pranuar të dorëzohet së bashku me kallashnikovin që kreu edhe vrasjen. Pas dorëzimit në polici, Kola ka pranuar edhe autorësinë e vrasjes, ndërsa është shprehur i penduar për të. Hetimet kanë treguar se vrasjen, Kola e kishte kryer për motive pronësie, pas konfliktit që kishte pasur familja e tij me një të afërm të viktimës. Vrasja ndodhi 5 ditë më parë, kur sipas policisë viktima po kthehej nga puna, pasi kishte qenë në mal duke prerë dru për ngrohje dhe autori i bëri atij pritë në hyrje të shtëpisë. Ai ka qenë i vetëm në momentin e krimit dhe sapo është futur në oborrin e banesës së tij, vetëm katër metra lag shtëpisë është qëlluar me breshëri automatiku, që i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Ndërsa nga banesa kanë dalë të trembur familjarët e tij, të cilët nuk kanë mundur ta ndihmojnë të afërmin e tyre.