Eksperti i tretë: Vdekja e Trebickës ishte aksident
Dashamir Biçaku
Mbërrin në Prokurorinë e Korçës raporti autoteknik i kryer nga eksperti i tretë i autorizuar nga Prokuroria e Përgjithshme për të hetuar aksidentin e Kosta Trebickës. Të premten pasdite rreth orës 14:00, dokumenti është dorëzuar në Prokurori nga eksperti i autorizuar për të hetuar lidhur me rrethanat e vdekjes së biznesmenit shqiptaro-amerikan Kosta Trebicka. Lajmi është bërë i ditur për gazetën "Panorama", nga burime të Prokurorisë të cilat kanë konfirmuar zyrtarisht dorëzimin e aktit të ekspertimit nga eksperti Gëzim Hoxha. Ky i fundit mësohet se ka përpiluar aktin, që ishte mbyllur në një zarf, i shoqëruar nga një shkresë përcjellëse. Burime të organit të hetimit bënë të ditur se, akti i ekspertimit ishte i shoqëruar edhe nga një material studimor i kryer posaçërisht për rastin në fjalë, duke përdorur referimet dhe argumentimet përkatëse. Materiali i aktit të ekspertimit bashkë me pjesën studimore, sipas burimeve zyrtare përbëjnë afërsisht 50 faqe material, në të cilën është sqaruar dhe argumentuar në mënyrë të detajuar dinamika e aksidentit, trajektorja e lëvizjes së mjetit dhe momente të tjera të ngjarjes. Eksperti i tretë i angazhuar në hetimin e ngjarjes ka argumentuar edhe shkakun e batimit të makinës së Trebickës, "NISSAN Patrol". Nga tërësia e dokumentit të dorëzuar në Prokurorinë e Korçës eksperti autoteknik Gëzim Hoxha, ka argumentuar ngjarjen si aksident. Sipas tyre, eksperti në fjalë me njohuri të posaçme në fushën e transportit, por edhe në atë juridike, ka argumentuar se ngjarja e 12 shtatorit, me pasojë vdekjen e drejtuesit të mjetit Kosta Trebicka, ka qenë një aksident i pastër. Sipas ekspertit, ngjarja ka ndodhur pas një manovrimi të papritur të mjetit në krahun e majtë të rrugës, duke u ngjitur në një pjerrtësi rreth gjysmë metri (50 cm), mbi nivelin e rrugës. Kthesa e menjëhershme dhe shpejtësia e mjetit, kanë nxjerrë qendrën e inercisë së tij, jo në pjesën e pasme të automjetit, por në krahun e djathtë përpara. Kjo ka sjellë batimin e automjetit duke shkaktuar edhe daljen e menjëhershme të trupit të viktimës nga kabina e automjetit. Ky argumentim i ekspertit të tretë përputhet plotësisht me këqyrjen e trupit të biznesmenit Kosta Trebicka, nga hetuesit e policisë së Korçës dhe mjekët ligjorë të këtij qyteti, si dhe nga mjekët e mbërritur nga Tirana. Këqyrja është kryer në praninë e kunatës së Trebickës, ku edhe janë vërejtur dëmtime në krahun e djathtë të trupit të viktimës, që nga koka, në gjoks dhe krah. Hetuesit e Prokurorisë së Korçës kanë pohuar për gazetën "Panorama" se, përfundimet e ekspertit amerikan Kevin Teter, me ato të ekspertëve shqiptarë nuk kanë shumë ndryshime si në përmbajtjen e tyre, ashtu edhe në argumentimin e shkakut të aksidentit të 30 ditëve më parë. Një ndër shkaqet e humbjes së jetës së Trebickës, në aktet e ekspertëve thuhet se, ka qenë makina e hapur në pjesën e sipërme të saj çka ka shkaktuar daljen e viktimës nga mjeti, pasi ai gjithashtu nuk ishte i siguruar me rrip. "Tuareg"-u i zi me të cilin mbërriti eksperti i tretë Gëzim Hoxha, la Prokurorinë e Korçës rreth orës 14:30 të së premtes. Më parë eksperti amerikan Kevin Teter dhe një specialist nga Korça kanë dorëzuar raportet e tyre të ekspertimit në Prokurori, duke e konsideruar ngjarjen aksident.