Dhuna në Egjipt, Berisha: Qëndrim ndërkombëtar të koordinuar për të ndalur masakrën
Junta ushtarake e Kajros kreu dy ditët e fundit një masakër të vërtetë ndaj protestuesve
Kryeministri Sali Berisha reagoi dje lidhur me zhvillimet tragjike të dy ditëve të fundit në Egjipt. Përmes një deklaratë, kryeministri Berisha bën thirrje për një qëndrim ndërkombëtar të koordinuar, për të ndalur masakrën në Egjipt. “Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe masakrat e juntës ushtarake të Kajros ndaj popullsisë civile, qeveria shqiptare bën thirrje për një qëndrim ndërkombëtar të koordinuar, të vendosur për të ndalur dorën e masakrës ndaj qytetarëve nga ushtarakët puçist që po zhysin vendin në lufte civile dhe kaos dhe për të rivendosur dialogun midis forcave politike kryesore të vendit”, thekson Kryeministri Berisha. Sipas Berishës, "Junta ushtarake e Kajros kreu dy ditët e fundit një masakër të vërtetë ndaj protestueseve paqësor. Kjo masakër, në të cilën u ekzekutuan qindra, e ndofta mijëra protestues, dëshmon fytyrën e vërtetë të juntës puçiste që u instalua në Kajro pas përmbysjes së presidentit të zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve egjiptian. Këto zhvillime tragjike dëshmojnë se bashkëpunëtorët e afërt të Mubarakut po rikthejnë me gjak dhe hekur regjimin e tyre barbar”,- shprehet kryeministri Berisha. Shqiptarët, vijon Berisha, “që kanë tek egjiptianet një komb mik, ndjekin me dhimbje dhe të shokuar zhvillimet në këtë vend”. Më herët edhe ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar lidhur me dhunën e përgjakshme në Egjipt, e cila la pas një bilanc tragjik viktimash. Përmes një deklarate për mediat MPJ deklaron se po e ndjek me shqetësim situatën në Egjipt, ndërsa dënon dhunën e ushtruar ndaj protestuesve në Kajro. MPJ shpreson për ndaljen sa më parë të dhunës, për ti hapur rrugë dialogut për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët. Dhuna e së mërkurës vuri përballë ushtrinë e Egjiptit dhe qeverinë aktuale kundër mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi. Të paktën 525 persona janë vrarë gjatë dhunës së djeshme, raporton televizioni shtetëror, duke cituar zyrtarë të emergjencave në Egjipt. Por një zëdhënës për Vëllazërinë Myslimane, e cila kërkon rikthimin në post të ish-presidentit Mohamed Morsi, ka theksuar se 2600 persona kanë vdekur pasi policia qëlloi me armë mbi turmën e demonstruesve.