Dhuna në Laç, FSHF distancohet
Lorenc Jemini është mjekuar të dielën në spital pas grushteve të marra nga Pashk Laska me cubat e tij. Gjyqtari i FIFA-s e ka parë veten keq, në situatën më të keqe të karrierës së tij teksa Laska e godiste me grushte dhe policia bënte sehir. Megjithatë, Federata Shqiptare e Futbollit vendos shumë vonë, disa orë pas ngjarjes, që të distancohet nga dhuna duke e fshehur veten pas shprehive të njohura si “prishja e misionit të një ndeshjeje”. Në fakt, Laçi kishte disa kohë që kishte rënë në qetësi dhe ishte fshirë përkohësisht nga harta e ngjarjeve të dhunshme në futboll. Por të dielën, Pashk Laska me të tijtë e kanë kthyer në identitet futbollin kurbinas duke masakruar me grushte Jeminin. “FSHF distancohet nga këto akte dhune të ndodhura në stadiumin e Laçit dhe me çdo lloj dhune që i prish bukurinë dhe misionin një ndeshjeje futbolli. Për këtë arsye Federata Shqiptare e Futbollit i kërkon Komisionit të Disiplinës të ndëshkojë ashpër shkaktarët e kësaj dhune duke zbatuar rregulloren përkatëse.” Por, më shumë sesa distancimi i FSHF-së, të habit guximi i presidentit Laska që godet pambarim në qendër të fushës së lojës Jeminin, duke e ditur se ndërkohë kamerat xhirojnë.