Disiplina, pritet dënim shembullor për Laskën, Laçi rrezikon përjashtimin
Intensiteti dhe makabriteti i ngjarjes mund të marrin dënimin ekstrem nga Komisioni i Disiplinës. Dhunimi i një zyrtari të FSHF-së është ndër “mëkatet” më të këqija që një pjesëtar i botës së futbollit mund të bëjë
Grushtet ndaj Jeminit kanë bërë jehonë të madhe. Nuk është rasti i parë që një gjyqtar goditet. Nuk është as rasti i parë në Laç. Por një skenë të tillë, horror për botën e futbollit, askush nuk e kishte parë. Të paktën jo gjatë viteve të fundit, ku zhvillimi i medias të lejon të shikosh atë se çfarë realisht ka ndodhur.
Dhunime të gjyqtarëve nga lojtarët, apo edhe tifozeritë, ishin gjëra që kishin filluar të bashkëjetonin po aq dhunshëm me futbollin shqiptar. Ndërsa rasti i së dielës, ishte një skandal me përmasa të mëdha.
Ngjarja
Pashk Laska mezi paskësh pritur vërshëllimën e trefishtë të Lorenc Jeminit. Ka vrapuar në fushë i ndjekur furishëm nga të besuarit e tij (nga ata që pak lidhje kanë me futbollin pasi asnjë prej atyre nuk njihej si pjesë zyrtare e kampionatit shqiptar) dhe ka zënë mat Jeminin në mesin e fushës së lojës. Aty ka dhënë goditjen e parë Laska dhe një person i dytë. Jemini ka kërkuar që të mbrohet duke vrapuar për disa metra, në rrethin e mesit të fushës i është zënë rruga nga disa persona të tjerë. Më pas, Laska me shokë e ka futur Jeminin në rreth dhe aty e kanë goditur sa të munden. Policia nuk ka bërë asgjë. Është përpjekur gjoja për t’i ndarë, por ka humbur kohën e duhur. Pak çaste më pas rreth 30 tifozë i janë bashkuar rrethit që ka si epiqendër Jeminin dhe forcat e rendit nuk kanë çtë bëjnë më, edhe pse realisht nuk shikohet ndonjë impenjim i madh nga ana e tyre për të bërë diçka.
Ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar te Jemini, i cili kërkon dëshpërimisht të arrijë dhomat e zhveshjes, disa tifozë nuk kanë ngurruar të kapen edhe me lojtarët e Kastriotit. Nga pamjet duket fare qartë që Turdiu goditet nga një mbështetës kurbinas. Laska, që pas turmës së madhe që ka mbështjellë Jeminin e ka të pamundur ta godasë më, vendos që të mbrojë lojtarët e Kastriotit nga grushtet e tifozerisë së Laçit, pasi për të fajtor për barazimin ka qenë vetëm Lorenc Jemini.
Pretendimi i kurbinasve
Shkak për ushtrimin e dhunës mësohet të ketë qenë pretendimi i vendasve për një arbitër jokorrekt nga ana e Jeminit. Laçianët pretendojnë se ai ka lejuar të zhvillohet një lojë e rëndë në dëm të lojtarëve të tyre ndërkohë që në pjesën e parë, mesfushori Erjon Vucaj ka përfunduar në spital duke marrë shëmbje të rënda në pjesën kurrizore. Gjithashtu edhe sulmuesi shqiptaro-maqedonas, Nexhbedin Selimi ka marrë goditje të forta nga kundërshtari që mund të ndëshkohej me karton të kuq sipas pretendimeve të vendasve. Këto ishin disa nga shkaqet që mendohet se presidenti dhe drejtues të tjerë të klubit kanë hyrë në fushën e lojës duke dhunuar kryesorin e takimit. Nga sa mësohet, pas përfundimit të ndeshjes treshja e arbitrave ka qëndruar në dhomat e zhveshjes për një kohë të gjatë e shoqëruar nga dhjetëra forca policie. Jemini ka marrë ndihmën e parë nga mjekët e skuadrave respektive. Pasi janë larguar të gjithë pjesëtarët e të dy skuadrave nga stadiumi, gjyqtarët kanë mundur të largohen të shoqëruar nga forcat e rendit.
Dënimet
Fusha e Laçit, skuadra e Laçit dhe Pashk Laska mund të marrin një dënim nga ata që nuk janë dëgjuar ndonjëherë nga Komisioni i Disiplinës. Sipas rregullores së FSHF-së, dhunimi i një zyrtari të federatës është një nga mëkatet më të mëdha që një lojtar apo drejtues klubi mund të bëjë. Por në këtë rast ka disa dënime që mund të ndërthuren me njëri-tjetrin. Megjithatë, nëse gjykohen si episode të ndara, fusha e Laçit rrezikon të pezullohet deri në fund të kampionatit, skuadra e Laçit rrezikon zbritjen nga kategoria dhe Pashk Laska mund të përjashtohet përjetë nga bota e futbollit.
Prodani: Gjithçka në dorë të Disiplinës
Eduart Prodani, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, është shprehur tejet i mërzitur me atë që ka ndodhur në Laç dhe ka deklaruar se skena të tilla nuk janë në dobi të askujt. “Më vjen keq për atë që ka ndodhur në Laç. Ato pamje nuk kanë nevojë për koment dhe mund të them se çdo gjë do të analizohet me kujdes. Tani do të jetë Komisioni i Disiplinës ai që do të thotë fjalën e tij për atë incident të shëmtuar”, ka deklaruar në linjë telefonike për gazetën sekretari Prodani, teksa ishte duke ndjekur nga tribuna e “Qemal Stafës” ndeshjen Dinamo-Flamurtari.
Absurdi i policisë: S’ka denoncime
Ndonëse pamjet janë nga ato që bëjnë “mu”, policia e Laçit nuk ka vënë asnjë person në pranga. E të mendosh që një gjyqtar është goditur barbarisht në krye të detyrës, çka përkthehet automatikisht si vepër penale. Drejtues të policisë së Laçit nuk kanë arrestuar askënd me mungesën e denoncimit nga gjyqtarët, megjithatë edhe pse ka marrë në ruajtje aktivitetin sportiv, nuk ka respektuar kushtin e flagrancës. Edhe pse uniformat blu panë nga afër dhunën e ushtruar, ata nuk e kanë konsideruar atë vepër penale.