E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg pa afat për kreun e doganës dhe doganierin e pranimit

Shqyrtohen faktet dhe provat e grumbulluara nga Prokuroria. Avokatët kanë deklaruar se klientët e tyre janë të pafajshëm
Berat - Drejtori i degës së Doganës Berat, Hodo Hasani, si dhe doganieri i pranimit të po kësaj dogane, Bashkim Danushi, janë përballur sot me togat e zeza në Gjykatën e Faktit, Berat, gjatë seancës së parë gjyqësore, atë të masës së vlerësimit ndaj tyre. Të dy punonjësit e doganës janë sjellë në Gjykatën e Beratit për gjykim të veçuar nga njëri-tjetri. Procesi i shqyrtimit të fakteve e provave të grumbulluara nga Prokuroria në ngarkim të tyre e më pas vendosja e masës së vlerësimit nga ana e gjykatës ka zgjatur rreth tri orë, me dyer të mbyllura, për secilin prej të akuzuarve.
Akuza
Ka qenë pikërisht prokurori i këtyre çështjeve, që edhe pse u shqyrtuan të veçuara nga njëra-tjetra kishin të njëjtin subjekt, ai që ka kërkuar edhe shqyrtimin e tyre me dyer të mbyllura. Prokurori Klodian Braho, në përputhje me Nenin 340/1, pika a, sipas të cilit thuhet se “Publikimi mediatik i fakteve të grumbulluara gjatë kësaj faze mund të cenojë hetimet e mëtejshme të organit të prokurorisë”, i ka kërkuar gjyqtares Fatime Velçani që këto dy procese gjyqësore të kryheshin me dyer të mbyllura, pa praninë e gazetarëve. Avokatët mbrojtës të dy të akuzuarve, Hodo Hasani e Shaban Danushi, respektivisht avokatët Shuaip Syri e Arhenc Berati, kanë deklaruar se klientët e tyre janë të pafajshëm, se i gjithë ky proces ndaj tyre është një proces i montuar nga persona të tretë dhe se gjithçka lidhet me konkurrencën në bizneset private që ata kryenin. Pas shqyrtimit të të gjitha provave në ngarkim të dy të akuzuarve Hodo e Danushi, gjyqtarja e çështjes Fatime Velçani i ka cilësuar të ligjshme arrestimet e tyre, të kryera në flagrancë nga policia dhe ka vendosur për të dy të akuzuarit masën e vlerësimit, arrest në burg pa afat.
Arrestimi
Drejtori i Degës së Doganës Berat, Hodo Hasani, si dhe doganieri i pranimit Shaban Danushi, në kuadër të operacionit të koduar “FASON” janë arrestuar në flagrancë tri ditë më parë nga inspektorët e Sektorit të Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Berat, në bashkëpunim edhe me Drejtorinë e Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ata akuzohen për veprat penale “Korrupsion nëpërmjet shpërdorimit të detyrës” dhe “Mitmarrje”, të parashikuar nga Nenet 259 dhe 25 të Kodit Penal. Arrestimi i tyre është kryer në flagrancë, më 13.03.2008, në orën 16:00. Ata janë kapur në rrugën nacionale, në hyrje të qytetit të Beratit, përpara portës kryesore të kompanisë “CENTER SHQIPTARE” sh. p. k, pasi kishin marrë një sasi parash si ryshfet në këmbim të krijimit të lehtësirave joligjore doganore. Këta punonjës të doganës u kanë marrë në mënyrë sistematike përfitime të tilla subjekteve tregtare që ushtrojnë aktivitetin në këtë qark. Nga kontrolli fizik dhe kontrolli i mjeteve të tyre janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 120 mijë lekë (të reja), 300 euro, 3 celularë, 2 automjete, një e markës “Mitsubishi Pajero”, e Degës së Doganës Berat, me targa BR 0875 B, si dhe një makinë tip “Volkswagen Golf”, me targa BR 1999 B, një praktikë doganore që i implikon ata në veprimet korruptive. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në banesat e drejtorit dhe inspektorit të doganës, u gjet dhe u sekuestrua edhe një shumë prej 150 000 lekësh (të reja).

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›