E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza e Enver Hoxhës: “Hrushovi bëri atë që s’e bënë nazistët”

Gazeta “Zëri i popullit” publikon letrën që PPSH-ja i dërgoi Kremlinit zyrtar. Si ndryshoi politika e Nikita Hrushovit dhe mbështetësit e tij në Shqipëri
Partia e Punës e Shqipërisë ka qenë dhe është për mbledhjen ndërkombëtare të partive komuniste e punëtore. Por ajo ka qenë dhe është për një mbledhje që do t’i shërbente unitetit të vërtetë të lëvizjes komuniste mbi bazën e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar, mbi bazën e parimeve revolucionare të Deklaratave të Moskës të viteve 1957 e 1960. Ajo ka qenë dhe është me vendosmëri kundër çdo mbledhjeje që do të sanksiononte përçarjen e hapur ose që do të krijonte një unitet të rremë mbi baza antimarksiste revizioniste. Partia e Punës e Shqipërisë ka deklaruar edhe më parë dhe e përsërit edhe tani se për të përgatitur një mbledhje të unitetit marksist-leninist të lëvizjes komuniste është e domosdoshme të merret parasysh gjendja e sotme në lëvizjen komuniste, ndryshimet që janë bërë dhe proceset që janë zhvilluar në të qysh nga mbledhja e vitit 1960 dhe, në përshtatje me këto rrethana e kushte, të përcaktohen masat dhe hapat që duhen ndërmarrë për të arritur në një mbledhje ndërkombëtare që do të shprehte me të vërtetë mendimin dhe vullnetin e të gjithë komunistëve të botës dhe do t’i shërbente arritjes dhe forcimit të atij uniteti luftarak për të cilin lëvizja jonë ka sot nevojë më tepër se kurrë. Baza e vetme e unitetit të vërtetë të kampit socialist e të lëvizjes komuniste është marksizëm-leninizmi dhe internacionalizmi proletar. Asnjë bashkim nuk mund të bëhet mbi bazën e revizionizmit, asnjë bashkim nuk mund të ketë midis marksistëve dhe revizionistëve që kanë tradhtuar çështjen e marksizëm-leninizmit dhe të internacionalizmit proletar. Plani i Nikita Hrushovit për bashkimin e lëvizjes komuniste mbi bazën e revizionizmit është plani i përçarjes dhe është i destinuar të dështojë me turp. Gjithashtu, çdo orvatje, çdo shpresë, çdo iluzion për të gjetur një platformë të ndërmjetme të kënaqshme për të gjithë që të bashkojë si marksistët ashtu edhe revizionistët është e kotë dhe pengon çështjen e arritjes së unitetit të vërtetë parimor të lëvizjes komuniste, që është i vetmi unitet i mundshëm. Qëllimet tradhtare që përpiqet të arrijë grupi i Nikita Hrushovit me mbledhjen e tanishme nuk janë aspak të rastit. Drejt këtyre objektivave kanë synuar kurdoherë përpjekjet e revizionistëve hrushovianë. Ata e filluan përçarjen me përhapjen e kursit të tyre revizionist. Ata e thelluan përçarjen me veprimet e tyre antimarksiste e antisocialiste dhe ata po e çojnë tani përçarjen deri në fundin logjik. Por revizionistët nuk duhet të harrojnë se nga mbledhja e tyre separatiste dhe nga masat kolektive që do të marrin ata, qiejt nuk do të përmbysen. Mbledhja e tyre do të jetë e frutshme dhe shumë e favorshme për lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Dita e mbledhjes së revizionistëve do të mbetet në histori si dita e tradhtisë së tyre të plotë e të hapur dhe në të njëjtën kohë si dita që do të shënojë katastrofën e tyre përfundimtare. Lëvizja komuniste revolucionare do të ecë përpara pa revizionistët dhe në luftë kundër revizionistëve dhe në këtë rrugë luftarake do të arrijë me siguri unitetin e saj. Ky do të jetë uniteti i vërtetë marksist-leninist për të cilin luftojnë dhe do të luftojnë me guxim marksistë-leninistët në botë.
Ja çfarë shkruhet në letër
Nikita Hrushovi përpiqet t’u mbushë mendjen juve, komunistëve të Bashkimit Sovjetik, popujve sovjetikë dhe të gjithë njerëzve në botë se, me ardhjen e tij në fuqi, nis një epokë e re, një kthesë e madhe historike. Dekada e sundimit të tij paraqitet si dekada e lulëzimit të Bashkimit Sovjetik, si dekada e triumfit të paqes e të bashkekzistencës paqësore, si dekada e lëvizjes komuniste dhe e zhvillimit krijues të komunizmit. Me ardhjen në fuqi të grupit të Nikita Hrushovit fillon me të vërtetë një kthesë historike, por kjo është një kthesë e madhe regresive, kthesa që i hapi dyert oportunizmit dhe revizionizmit, tradhtisë e degjenerimit, minimit të unitetit dhe fillimit të përçarjes në lëvizjen komuniste, afrimit dhe bashkimit me imperializmin e armiqtë e tjerë të popujve dhe të socializmit, sabotimit të revolucionit dhe restaurimit të kapitalizmit. Asnjë njeri dhe asnjë grup tjetër deri sot nuk i ka shkaktuar Bashkimit Sovjetik, kampit socialist, lëvizjes komuniste, çështjes së socializmit e të komunizmit, dëme dhe të këqija kaq të mëdha sa Nikita Hrushovi dhe grupi i tij. Historia e Bashkimit Sovjetik dhe e komunizmit ndërkombëtar nuk njeh renegat më të madh e armik më të tërbuar e më të rrezikshëm se sa grupi revizionist hrushovian. Atë që nuk mundën ta bënin në kohën e tyre imperialistët me intervencionin e armatosur, Trocki, Buharini dhe armiqtë e tjerë të pushtetit sovjetik, atë që nuk mundën të bënin dot fashistët gjermanë në kohën e Luftës së Dytë Botërore, po përpiqet ta bëjë tani grupi i Nikita Hrushovit. Kush e ka poshtëruar, kush e ka diskredituar, kush e ka sulmuar më rëndë, kush ka shpifur më shumë se Nikita Hrushovi kundër pushtetit sovjetik, kundër rendit socialist sovjetik? Është Nikita Hrushovi ai që i vuri kryq periudhës më të lavdishme të Bashkimit Sovjetik, kur populli sovjetik, nën udhëheqjen e partisë me Stalinin në krye, kapërceu vështirësi kolosale, i bëri ballë me guxim rrethimit të egër kapitalist, shpartalloi kundërrevolucionin, ndërtoi për të parën herë në botë shoqërinë socialiste, korri fitoren e madhe historike në luftën patriotike dhe e shndërroi Bashkimin Sovjetik në një shtet të fuqishëm të zhvilluar e të përparuar socialist, me një autoritet dhe rol të paparë në arenën ndërkombëtare. Ai e paraqiti të gjithë këtë periudhë si periudhën gjatë së cilës në Bashkimin Sovjetik kanë mbretëruar terrori e persekutimet, burgjet e kampet e përqendrimit, shkeljet e ligjshmërisë e të demokracisë, arbitrariteti e despotimi, varfëria dhe uria. Me të gjitha këto Nikita Hrushovi u bëri një shërbim shumë të madh imperialistëve, duke u dhënë armë për të sulmuar e diskredituar Bashkimin Sovjetik. Raporti famëkeq sekret që Nikita Hrushovi mbajti në kongresin e 20-të, si dhe fjalimet e tjera të tij, u bënë ushqimi kryesor, burimi i pashtershëm për të gjithë propagandën më reaksionare antikomuniste e antisovjetike. Kush mund t’i besojë Nikita Hrushovit për shpifjet e tij mbi krimet e Stalinit? A mund t’u zihet besë trillimeve të komisioneve hetimore të krijuara nga Hrushovi, shkrimeve të Axhubejve dhe ditarëve të Solxhenicinëve me shokë? Mos vallë imperializmi dhe agjentët e tij, që e kishin halë në sy Bashkimin Sovjetik dhe që donin ta mbytnin atë që në djep, paskan ndenjur duarkryq dhe s’paskan bërë asgjë kundër tij? Dikur vetë Nikita Hrushovi më 1938 pati thënë: “Jakirët, balickët, ljupçenkët, zatnoskët dhe maskarenjtë e tjerë donin të sillnin në Ukrainë panët polonezë, donin të binin këtu fashistët gjermanë, çifligarët dhe kapitalistët... Ne kemi shfarosur shumë armiq, por akoma jo të gjithë. Prandaj duhet t’i mbajmë sytë hapur. Ne duhet të kemi gjithmonë në mendje fjalët e shokut Stalin se gjersa ekziston rrethimi kapitalist, në vendin tonë do të dërgohen spiunë dhe diversantë. Po ky Hrushov, një vit më parë, më 1937, thoshte: “Partia jonë do të shtypë pa mëshirë bandën e tradhtarëve, do të fshijë nga faqja e dheut gjithë kërmën trokciste të djathtë. Garanci për këtë është udhëheqja e patundur e Komitetit tonë Qendror, udhëheqja e patundur e udhëheqësit tonë, shokut Stalin...Ne do t’i shfarosim gjer në fund armiqtë, nga i pari gjer tek i fundit dhe do ta shpërndajmë hirin e tyre në erë”. Por në vend që të fshinte nga faqja e dheut kërmën trokciste, të shfaroste të gjithë armiqtë e të hidhte në erë hirin e tyre, renegati Hrushov dogji trupin e Stalinit, hodhi në erë hirin e tij, të këtij mbrojtësi dhe udhëheqësi të madh të fitoreve historike të Bashkimit Sovjetik, rehabilitoi nga i pari tek i fundit të gjithë kundërrevolucionarët, i shpalli ata viktima të Stalinit dhe vendosi t’u ngrejë atyre përmendore. Se ç’viktima janë këto që merr në mbrojtje Nikita Hrushovi, ne shqiptarët e dimë fort mirë nga eksperienca jonë. Ndërsa udhëheqësit e partisë e të shtetit shqiptar, që kanë udhëhequr popullin në luftën e madhe të çlirimit e të ndërtimit të socializmit, Nikita Hrushovi i ka quajtur agjentë të imperializmit të shitur për 30 aspra, vrasës e terroristë, armiqtë e partisë e të popullit tonë si K. Xoxe, P. Plaku, T. Sejko, L. Gega, i ka marrë hapur në mbrojtje duke i quajtur komunistë të vërtetë revolucionarë, internacionalistë, patriotë e viktima të pafajshme.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më 6 tetor 1964
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

Në numrin e së mërkurës do të lexoni:

Tezat e gabuara të Nikita Hrushovit “për partinë e të gjithë popullit” dhe për “shtetin e të gjithë popullit”

Pse revizionistët i quanin Koçi Xoxen me shokë komunistë të vërtetë dhe si i lavdëruan armiqtë e Partisë së Punës

Miqësia e Hrushovit me klikën e Titos dhe afrimi me imperializmin amerikan, si shihen nga komunistët shqiptarë

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›