E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zëvendëskryeministri Kuçi: “Ishte veprim i ligjshëm”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, e ka cilësuar ndërhyrjen e forcave të policisë në veri të Mitrovicës të ligjshëm dhe të domosdoshëm. ”Kjo është një tendencë që disa grupe të tensionuara dhe të frustruara, por edhe disa huliganë, të ndalen dhe ta kuptojnë se këtu vepron rendi dhe ligji”, - u shpreh Kuçi. “Në këtë drejtim kemi kërkuar bashkëpunim të plotë me UNMIK-un dhe KFOR-in, por njëkohësisht edhe me SHPK-në. Një gjë duhet të dihet se në Kosovë dominon rendi dhe ligji dhe ai vlen për të gjithë", - tha zëvendëskryeministri.

KE u bën thirrje palëve për vetëpërmbajtje

Komisioni Europian ka shprehur keqardhjen për përleshjet në Mitrovicë dhe u ka bërë thirrje palëve për vetëpërmbajtje. "Ne jemi shumë të shqetësuar për situatën e tensionuar në veri të Mitrovicës. Ne shprehim keqardhje për sulmet kundër policisë së Kombeve të Bashkuara dhe personelit të KFOR-it. Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje”, - tha zëdhënësi i Komisionit Europian, Amadeu Altafaj. Ai shprehu më tej mbështetjen e plotë ndaj UNMIK-ut dhe KFOR-it për ruajtjen e rendit në Kosovë”. “Dhuna është e papranueshme. Ajo nuk është opsion. Të gjitha palët duhet të punojnë bashkë që të ndërtojnë Kosovën shumetnike të bazuar në sundimin e ligjit dhe respektit për demokracinë”,- u shpreh Altafaj.

Britania dënon sulmet ndaj policisë së UNMIK-ut

Britania e Madhe ka dënuar sulmin ndaj policisë së UNMIK-ut në pjesën veriore të Mitrovicës. “Ne i dënojmë totalisht këto veprime të dhunshme të drejtuara kundër personelit të Kombeve të Bashkuara dhe NATO-s, që kanë për qëllim t’i pengojnë ata për të kryer punën e tyre”, - thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të këtij vendi. “Britania e kupton se sa e vështirë është pavarësia e Kosovës për Serbinë dhe për serbët e Kosovës, por u bëjmë thirrje atyre që shqetësimet e vërteta që kanë t’i adresojnë përmes dialogut politik”.

Gjermania shprehet kundër ndarjes së Kosovës

Pas ngjarjeve të fundit që ndodhën në veri të Mitrovicës dhe sulmit ndaj trupave të KFOR-it dhe UNMIK-ut ka ardhur reagimi i Gjermanisë, e cila ka porositur forcat ndërkombëtare të vënë nën kontroll situatën në veri të Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Xheger, ka deklaruar se Gjermania nuk e konsideron si opsion ndarjen e Kosovës dhe e kundërshton hapur atë. Komentet e tij u bënë pas përleshjeve të djeshme ndërmjet protestuesve serbë dhe policëve të UNMIK-ut, të cilët morën nën kontroll Gjykatën e Mitrovicës dhe më pas u detyruan sërish të tërhiqeshin.

Mas: “Europa nuk është e ndarë për pavarësinë e Kosovës”

Ambasadori i Gjermanisë në Serbi, Volfram Mas, deklaroi se Europa nuk është e ndarë lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe se njohja e saj është çështje e vendimit të vendeve individuale anëtare e jo e Bashkimit Europian. “Shumica e madhe e shteteve të Bashkimit Europian e kanë njohur Kosovën, ndonjë shteti tjetër i duhet pak më tepër kohë. Vendimtare është se vendet e BE-së pa përjashtim janë pajtuar që me anë të Misionit EULEX të marrin përgjegjësi në Kosovë”, - tha ambasadori Mas për gazetën serbe “Dnevnik”. Sipas tij, Bashkimi Europian kurrë nuk e ka vënë në pikëpyetje vlefshmërinë e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka arsye për konflikt ndërmjet BE-së dhe OKB-së.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›