Tadiç, serbëve: “Mos provokoni forcat ndërkombëtare!”
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, i ka bërë thirrje policisë së UNMIK-ut dhe KFOR-it të përmbahen nga përdorimi i forcës kundër manifestuesve serbë për të mos provokuar një rritje të dhunës në të gjithë Kosovën. Nga ana tjetër, Tadiç ka kërkuar nga serbët e Kosovës të mos provokojnë forcat ndërkombëtare. Ai u ka bërë thirrje gjithashtu liderëve serbë të Kosovës për të bërë gjithçka të mundur për të qetësuar situatën. “Reagimi i ashpër i UNMIK-ut dhe KFOR-it mund të provokojë përleshje në të gjithë territorin e Kosovës”, - tha Tadiç.
Moska: “Duhen bisedime të reja për Kosovën”
Rusia ka bërë thirrje për bisedime të reja ndërkombëtare mbi statusin e Kosovës, duke thënë se trazirat e fundit ishin pasojë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë. “Është e qartë se situata mund të normalizohet vetëm duke kthyer procesin e Kosovës në kornizën e ligjit ndërkombëtar, me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje të pranueshme nga të dyja palët, e bazuar në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme në Moskë. Duke iu referuar përleshjeve të djeshme, deklarata e Rusisë thotë se ngjarjet në Mitrovicë nuk mund të shihen të izoluara nga zhvillimet e përgjithshme në Kosovë”.
Samarxhiç: “Të lirohen menjëherë të arrestuarit!”
Ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, ka thënë se në mëngjes UNMIK-ut i është dorëzuar kërkesa që serbët e arrestuar në pjesën veriore të Mitrovicës të lirohen menjëherë.
Samarxhiç e ka konsideruar aksionin në ndërtesën e Gjykatës të papranueshëm dhe jashtë çdo veprimi të civilizuar. “Kam ofruar një marrëveshje për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura në mes të UNMIK-ut dhe Serbisë në lidhje me serbët në Kosovë, përveç kësaj kemi pasur edhe një marrëveshje parimore që asgjë të mos ndërmerret derisa unë të mos shkoj në Mitrovicë”, - tha Samarxhiç.
18 Mars 2008