E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhuna në burg, hetim 5 policëve

 

Avokati i Popullit kërkon fillimin e procedimit disiplinor dhe marrje masash për pesë policë të burgut të Lezhës, në lidhje me ngjarjen e 10 shtatorit, ku në një grindje masive u dhunuan fizikisht 6 të burgosur. Rekomandimi është dërguar pak ditë më parë në zyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazmend Dibra, si dhe te drejtori i burgut të Lezhës, Valentin Miri, ndërsa mban në fund firmën e Avokatit të Popullit, Ermir Dobjani. Në rekomandim, Dobjani pasi "servir" gjithë ngjarjen e 10 shtatorit, të zbardhur nga inspektorët e këtij institucioni, kërkon marrjen e masave dhe vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore për uniformat blu të përfshira në ngjarje.  Sipas rekomandimit, të përfshirë në episodin e dhunshëm kanë qenë disa persona të dënuar, ndërsa nuk saktësohet nëse uniformat blu kanë ushtruar dhunë apo jo mbi të burgosurit, siç pretendohet nga disa prej të dënuarve. Sipas raportit të Dobjanit, pesë punonjësit e policisë kanë shkelur kërkesat e parashikuara nga rregullorja e Brendshme e Policisë së Burgjeve. Në gjashtë pika, Dobjani theksonte shkeljet e rregullave nga punonjësit e policisë, që kishin të bënin kryesisht me "kapërcim të kompetencave ligjore", "largim nga shërbimi pa u zëvendësuar nga dikush tjetër", apo edhe "lëvizja e të paraburgosurve nga një dhomë në tjetrën". "Në veprimtarinë e tyre gjatë shërbimit, punonjësit e Policisë së Burgjeve, në rastin konkret Zenel Mysliu, Veli Kala, Arben Nela, Lek Filaj dhe Met Vokrri duhet të zbatonin me rigorozitet kërkesat e parashikuara në rregulloren e Brendshme të Policisë së Burgjeve, e cila bën fjalë për veprimtarinë e Policisë së Burgjeve, të parashikuar nga neni 22 i saj", thuhej në rekomandim. Në raport theksohet se, "duke analizuar në tërësi provat e administruara, rezulton se nga ana e punonjësve të policisë në I.E.V.Penale Lezhë, janë kryer veprime me dashje në kundërshtim me nenin 22 të rregullores së Brendshme të Policisë Burgjeve, të cilat kanë sjellë për pasojë shkaktimin e një konflikti fizik midis të paraburgosurve. Veprime të tilla kanë vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e të paraburgosurve në këto ambiente, ndaj dhe masat që duhet të merren duhet të jenë në proporcion me rrezikshmërinë e lartë që paraqesin ato". Në përfundim të raportit, Dobjani rekomandonte që "të analizohet me objektivitet kjo ngjarje dhe të fillohet procedimi për dhënie të masave disiplinore ndaj personave përgjegjës".           ar.ba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›