Komshinjtë sherr me sëpatë për pronën në Dajt
TIRANE - Konflikti i pronësisë mes dy fqinjëve në fshatin Dershen të komunës Dajt në Tiranë, është mbyllur vetëm kur njëri ka mbetur i plagosur dhe tjetri është arrestuar nga policia. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin periferik të kryeqytetit, pas konflikteve të vazhdueshme për një mur rrethues shtëpie, mes familjeve të Ibrahim Hurdhës dhe Nezir Ahmetit. Debatet e mëparshme që familjet kishin pasur për pronën, ishin mbyllur me ofendime dhe kërcënime, ndërsa dy ditë më parë kanë hyrë në "lojë" edhe sëpatat. Pas një sherri që ka zgjatur më shumë se dy orë, Ibrahim Hurdha, 63 vjeç, ka marrë sëpatën në shtëpi dhe ka goditur fqinjin Nezir Ahmeti, në të njëjtën moshë me të. Menjëherë është njoftuar salla operative dhe policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke vënë në pranga autorin, Ibrahim Hurdha. Ndërsa i plagosuri është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën. I dyshuari si autor i ngjarjes është dërguar në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, i janë gjetur edhe armë zjarri, një karabinë model 54 dhe 427 fishekë. Kështu, përveç akuzës së plagosjes së lehtë me dashje, 63-vjeçari akuzohet edhe për "mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Sipas policisë, sherri mes familjeve kishte nisur për disa metra truall, ku e kishte shtyrë murin rrethues të shtëpisë i plagosuri.