Gjykata la në burg Deliun, 5 muaj pasi mbaroi dënimin
TIRANE - Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, kritikon Gjykatën e Lartë për pengesë në ekzekutimin e vendimeve penalë ndaj personave që duhet të lirohen nga burgu. Shkas për këtë është bërë qëndrimi për 5 muaj në burg i Petrit Deliut, edhe pse ndaj tij ekzistonte një vendim gjykate që i jepte lirinë. Referuar këtij rasti, por edhe rasteve të tjera të mëparshme, Dobjani i ka dërguar pak ditë më parë një rekomandim Kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj dhe Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, ku kërkon "marrjen e masave për ekzekutimin e vendimeve penale ndaj personave që duhet të lirohen nga burgu menjëherë pas shpalljes së vendimeve nga Gjykata e Lartë". Në përgjigje të këtij rekomandimi, Prokuroria e Përgjithshme është shfajësuar duke ia "postuar" fajin gjykatës me argumentin se, "Prokurori nuk mund të urdhërojë lirimin nga burgu, në qoftë se nuk i vihet në dispozicion vendimi ose shkurtimi i vendimit të Gjykatës".
Sipas raportit të AP-së, mohimi për 5 muaj me radhë i lirisë për Petrit Deliun kishte ardhur si rezultat i moszbardhjes së vendimit të gjykatës në kohën e parashikuar me ligj. Ndërkohë që pa vendimin e zbardhur Prokuroria nuk mund të veprojë. "Mosdërgimi më parë i këtij vendimi pranë Prokurorisë së Përgjithshme, përveç vështirësisë së arsyetimit si vendim unifikues, ka ardhur dhe si rezultat i mungesës së arsyetimit të mendimit në pakicë, të disa prej anëtarëve të kësaj Gjykate, të cilët nuk janë paraqitur në detyrë për shkaqe objektive (kanë qenë me angazhime pune jashtë shtetit)", thuhej në rekomandim. Në bazë të një vendimi të Gjykatës së Lartë të datës 6 shkurt 2009, Deliu duhet të linte qelinë, ndërsa në të vërtetë ai u lirua në 9 korrik 2009. Ndërsa për gjykatën rekomandon ekzekutim vendimesh në kohë, për organin e akuzës Dobjani kërkon të luajë rol aktiv, që të parandalohet mbajtja pa të drejtë në burg e personave. ar.ba