Dhuna në burgje, ankesa direkt te Dobjani
TIRANE – Avokati i Popullit “afrohet” me të burgosurit e burgut të Vaqarrit. Që prej ditës së djeshme në ambientet e këtij burgu është vendosur një kuti postare në të cilën të dënuarit mund të “postojnë” letra drejt Avokatit të Popullit. Kutia, ku të burgosurit mund vendosin letra për të gjitha ankimet dhe shqetësimet në lidhje me respektimin e të drejtave te tyre, do të hapet vetëm nga përfaqësuesit e AP-së. Gjatë inaugurimit të projektit ishte i pranishëm ministri i drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ambasadori i OSBE në Tiranë, Robert Bosch dhe Avokati i popullit, Ermir Dobjani. “Do të doja të theksoja se mënyra se si një vend trajton personat me liri të kufizuar flet shumë për forcën e demokracisë dhe të institucioneve demokratike të atij vendi”, u shpreh ambasadori Bosch, dje në fjalën e tij për ceremoninë. Mësohet se ky është një projekt që do të zbatohet edhe në burgje të tjera të vendit. ar.ba