Tragjedia e Gërdecit, hetim 200 vlerësuesve të dëmeve
Trazhgim Sokolaj
Ekspertët që vlerësuan dëmet e shkaktuara nga tragjedia e Gërdecit, kanë abuzuar në të paktën 70 objekte, duke rritur fiktivisht faturat, me qëllim që të përfitonin pjesë nga paratë e dhëna nga shteti në formën e dëmshpërblimit. Prokuroria e Tiranës e cila po heton këtë çështje, do të përsërisë vlerësimin e dëmeve në Gërdec për 70 objekte të dëmtuara nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit të armëve më 15 mars të këtij viti. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare sipas të cilave, një grup prej shtatë ekspertësh të atashuar pranë Ministrisë së Drejtësisë, do të rikthehet në zonën e Gërdecit për të matur realisht sa ka qenë vlera e dëmeve të shkaktuara në objektet dhe banesat e zonës. Shtatë ekspertët e caktuar nga Prokuroria do të verifikojnë realisht sa ka qenë vlera e dëmit dhe më pas do të bëjnë një përllogaritje të diferencës me shifrat abuzive, që dhanë specialistët që po hetohen për mashtrim. Disa ditë pas tragjedisë së Gërdecit, me qëllim dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga kjo ngjarje, Qarku i Tiranës, Enti i Banesave, Bashkia Vorë dhe ALUIZNI, dërguan ekspertët e tyre në zonën e tragjedisë për të vlerësuar dëmet. Numri i ekspertëve që kanë marrë pjesë në vlerësimin abuziv për të paktën 70 objekte, mësohet se ka qenë rreth 200 specialistë.
Hetimi për abuzimin
Të ndarë në grupe me nga pesë persona, ata verifikuan një më një të gjitha shtëpitë dhe objektet e zonës dhe përcaktuan për secilin rast shumën e dëmit të shkaktuar. Në bazë të këtyre shumave, Qeveria caktoi fondin dhe më pas u dorëzoi banorëve shumat e dëmshpërblimit me para të marra nga buxheti i shtetit. Transaksioni u krye përmes arkës së Bashkisë Vorë, e cila duket se ka zbuluar abuzimin dhe menjëherë ka lajmëruar policinë dhe Prokurorinë. Pikërisht gjatë këtyre procedurave, të llogaritjes dhe shpërndarjes së shumave të dëmshpërblimit, sipas Prokurorisë ka ndodhur edhe abuzimi me tragjedinë. Ekspertët e Qarkut Tiranë, ALUIZNI-t, Entit të Banesave dhe Bashkisë së Vorës, për të paktën 70 objekte kanë fryrë fiktivisht faturat e dëmit. “Në rast se dëmi i shkaktuar ishte 300 mijë lekë të reja, ekspertët në hetim kanë faturuar sikur dëmi ka qenë 450 mijë lekë të reja. Diferenca mes shifrës së dhënë nga ekspertët që llogaritën dëmet dhe shifrave reale të dëmit, dyshohet se është përcaktuar nga specialistët që llogaritën dëmet pas tragjedisë”, thanë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, dyshohet se ekspertët që llogaritën dëmet dyshohet se kanë bashkëpunuar me disa banorë të zonës, të cilët kanë tërhequr shumat e dëmshpërblimit dhe më pas diferencën ua kanë dorëzuar specialistëve që matën vlerën e dëmeve që shkaktoi tragjedia. Dosja penale po hetohet nga Prokuroria e Tiranës dhe sektori i Antikorrupsionit në policinë e Tiranës.