Sherr në lokal në Golem, i riu sulmon dy efektivat e policisë
KAVAJE - Prangoset nga policia 21-vjeçari që kërcënoi me thikë dy efektivët blu të postës së Golemit. Flaurenc Byberaj, 21 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar nga policia e komisariatit të këtij qyteti, me akuzën e kanosjes me armë të ftohta të efektivëve të policisë për shkak të detyrës. Ngjarja është bërë e ditur zyrtarisht nga policia e Tiranës, e cila pohoi se 21-vjeçari banues në Kavajë, ka qenë në Golem me disa shokë të tij duke pirë në një lokal. Gjatë kësaj kohe, sipas burimeve të policisë, për shkak të gjendjes së tij të dehur ai ka nisur të grindet dhe të konfliktohet me persona të ndryshëm. Kjo ka bërë që pronari dhe punonjësit e lokalit të njoftojnë policinë. Pas mbërritjes së bluve, atij i është kërkuar nga ana e punonjësve të policisë së postës së kësaj zone që të shkonte me ta në rajon. Mirëpo pas kësaj kërkese 21-vjeçari ka nisur të kundërshtojë punonjësit e policisë dhe të debatojë me ta. Ndërkaq më pas ai ka nisur të kundërshtojë dhe të mos iu bindet atyre, ndërsa në tentativë për t’iu shpëtuar policëve ka nisur të vrapojë. Këta të fundit e kanë ndjekur nga pas për ta ndaluar. Duke qenë se nuk ka pasur nga të shkojë, 21-vjeçari ka nxjerrë një thikë duke shpresuar që policët të tremben. Ka shpresuar më kot ai të trembte efektivët blu, pasi ata kanë mundur ta prangosin të riun. Më pas ai është dërguar në ambientet e komisariatit të policisë së Kavajës, ku pasi i ka dalë pija ka parë veten në qeli të arrestuar me akuzën e kanosjes së dy punonjësve të policisë në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës.