Dy aksidente,një vdes e 9 plagosen
LAÇ/ PRRENJAS – Një person humbi jetën dhe 9 të tjerë u plagosën në dy aksidente të shënuar ditën e djeshme. Ngjarja me pasoja tragjike ndodhi pasditen e djeshme, në aksin rrugor Qafë Thanë-Përrenjas. Burime të policisë bënë të ditur se një makinë “Wolskvagen” me targë të Kavajës, drejtuar nga Selman Sula, 60 vjeç u përplas me një fuoristradë me targa greke, në timonin e së cilës ndodhej Besim Qyra. Si pasojë e përplasjes së fortë mbeti i vdekur në vend 60-vjeçari Sula, ndërsa u plagosën dy prej pasagjerëve të makinave. Policia ndaloi shoferin Qyra, pasi dyshohet se shpejtësia shkaktoi aksidentin. Një tjetër aksident i rëndë ndodhi në rrugën e kishës së Shën Ndoit në Laç, pasi një furgon me pelegrinë të cilët po ktheheshin nga kisha për në Tiranë doli nga rruga. Në makinë ndodheshin 7 persona, të cilët ishin nisur për pelegrinazh në kishë. Në një nga kthesat e forta, makina doli nga rruga, duke bërë që të gjithë udhëtarët e furgonit të plagoseshin. Një defekt në sistemin e frenimit dyshohet të jetë shkaku i aksidentit. Për fat, makina është bllokuar gjatë rënies nga një gur i madh, pasi pasojat mund të ishin tragjike. Udhëtarët e plagosur janë të moshave nga 12 deri në 48 vjeç, të afërm mes tyre. Ata janë dërguar fillimisht në spitalin e Laçit e më pas në atë ushtarak. a.k/r.n