E Diel, 1 Nëntor 2026

I pafajshëm pas 6 vitesh burg

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

Pasi vuajti gati gjysmën e dënimit për vrasjen e babait të tij, shpallet i pafajshëm. Fatos Mustafaj nga Shkodra ishte dënuar nga gjykata e këtij rrethi me 15 vjet burg, me akuzën e “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Iliria” të Shkodrës më 27 korrik 2001, ku mbeti i vrarë babai i tij, Shyqyri Mustafaj. Në rrethana që ende janë të paqarta për drejtësinë, djali i tij, Fatos Mustafaj pranoi autorësinë e këtij krimi. Ai ishte analfabet, e kjo u shfrytëzua nga persona të tjerë që të firmoste në procesverbalin përkatës autorësinë. Një vit pas ngjarjes, gjykata e shpalli atë fajtor dhe vendosi dënimin me 15 vjet burg. Prej gjashtë vitesh, Mustafaj u mbyll në qeli, duke marrë mbi vete edhe një krim të rëndë, për të cilin më së fundmi drejtësia e nxjerr të pafajshëm. Nga qelia, ndonëse nuk dinte të shkruante ai iu kërkoi bashkëvuajtësve të tij t’u hartonte letrat. Kërkesat e tij të njëpasnjëshme u depozituan në Gjykatën e Lartë dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Mustafaj i mëshonte gjithnjë faktit se po vuante dënimin e një krimi të cilin e kishin kryer të tjerë persona, e jo ai. Gjashtë vjet më pas, bazuar edhe në kërkesën e të pandehurit, kolegji penal i Gjykatës së Lartë e mori në shqyrtim çështjen me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme. Objekti i kësaj kërkese ishte rishikimi i vendimit të Gjykatës së Shkodrës i datës 27 maj 2002. Ky vendim deklaronte fajtor të akuzuarin Fatos Mustafaj për “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”, për vrasjen e babait të tij Shyqyriut dhe e dënonte me 15 vjet burgim. Edhe në seancën e djeshme, Fatos Mustafaj i cili po vuan dënimin në burgun e Fushë-Krujës, deklaroi se nuk e kishte vrarë ai të atin. “Persona të tjerë më detyruan ta marr përsipër krimin. Unë i kërkoj prokurorisë mbrojtje pasi po kërcënohem me jetë në burg nga persona të ndryshëm, pasi unë kam ndryshuar dëshminë time duke rrëfyer të vërtetën”, u shpreh dje në gjyq Mustafaj. Prokurori i kësaj çështje, Përparim Kulluri i kërkoi gjykatës pezullimin e saj dhe shpalljen e Mustafajt të pafajshëm, mbështetur nga fakte të reja që dolën në dritë pas rishqyrtimit të vendimit të kësaj gjykate. Mes tyre ishin dëshmitë e nënës dhe vëllait të të pandehurit, të cilët nuk ishin marrë fare në pyetje gjatë kohës së gjykimit të parë. Tashmë rrethanat e ngjarjes mbeten të paqarta. Kjo çështje do të marrë tjetër rrjedhë, por për efekt hetimi, prokuroria nuk bën të ditura detaje për autorët e kësaj vrasjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›