Kreu i Antimafias: Ekzekutoni urdhër arrestet tona
TIRANE – Kryeprokurori i Antimafias italiane, i cili ndodhet në kryeqytetin shqiptar për vizitë zyrtare, zhvilloi dje takime me ministrin e Brendshëm Bujar Nishani, të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi. “Vendimet penale për shtetasit italianë e shqiptarë që kryejnë krime në vendet respektive është e mirë që të mos mbeten në letër, por të zbatohen”. Kjo ishte deklarata e prokurorit kombëtar të Antimafias në Itali Pietro Grasso, bërë dje në gjatë takimit me ministrin e Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, takim gjatë të cilit u deklarua optimist për bashkëpunimin mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar. “Kjo ishte një nga arsyet e vizitës time në Shqipëri. Pa këtë bashkëpunim nuk mund të kemi asnjë shpresë për të luftuar krimet që nisin në një shtet dhe përfundojnë në një tjetër. Është shumë e rëndësishme, që vendimet gjyqësore të mos mbeten në letër por të zbatohen. Kjo sepse personat e dënuar rikthehen në vendet e tyre duke vazhduar me aktivitetet e tyre kriminale”, pohoi Grasso. Ndërkohë, ministri Alibeaj pohoi se ekzekutimi i vendimeve penale është një problematikë, që e ka rritur ndjeshmërinë e Ministrisë së Drejtësisë, Prokurorisë dhe sistemit gjyqësor. Sipas ministrit një numër i madh vendimesh janë ekzekutuar dhe kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen për të krijuar kështu edhe një dekurajim të krimit. Gjatë takimit, që u përqendrua në nevojën e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve për të rritur efikasitetin në luftën kundër krimit, ministri Alibeaj deklaroi se nënshkrimi i Marrëveshjes së Përbashkët me Italinë, për ekzekutimin e vendeve penale është një arritje e madhe mes dy vendeve në luftën kundër krimin të organizuar. Në fund të takimit Grasso dhe Alibeaj shprehën gatishmëri për bashkëpunim të shpejtë dhe efikas në ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe vullnetin reciprok që bashkëpunimi dypalësh të funksionojë me shpejtësinë e duhur për të goditur në kohë dhe efektivitet. Në takimin me ministrin e Brendshëm Nishani, kryeprokurori i Antimafias italiane diskutoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy palëve, ndërsa kreu i dikasterit të Brendshëm paraqiti rezultatet konkrete të arritura në drejtim të zhdukjes së fenomenit të trafiqeve të paligjshme nga Shqipëria drejt Italisë. fa.ma.