E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhuna në familje, 16 viktima për 2009



Vitin e kaluar, si pasojë e dhunës në familje janë shënuar 16 viktima. Pas shifrave të bëra publike nga ndërkombëtarët, edhe Ministria e Punës pranon se fenomeni është mjaft problematik. Por është rritur ndërgjegjësimi për të denoncuar dhunuesit. Dje, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për Barazinë Gjinore, Ministri i Punës, Spiro Ksera, deklaroi se vetëm gjatë vitit 2009 numërohen 395 denoncime të dhunës në familje, më shumë se gjatë vitit 2008. “Si rezultat i këtij ndërgjegjësimi, gjatë vitit të kaluar është rritur numri i denoncimit të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me një vit më parë, ku rezulton që nga 822 denoncime në vitin 2008, në vitin 2009, pranë strukturave vendore të policisë të denoncohen 1.217 raste”, tha Ksera. Ai shtoi se për fat të keq, edhe gjatë vitit të shkuar janë evidentuar 16 raste dhune në marrëdhëniet familjare me pasojë vdekjen, ku në 4 raste viktimë është bashkëshortja, në 6 raste prindi, dhe në 6 raste persona të tjerë të familjes. Për herë të parë në vendin tonë po zbatohet projekti i një vrojtimi kombëtar për “Dhunën në familje në Shqipëri”, i cili po realizohet nga INSTAT, përfundimet e të cilit do të shërbejnë që politikë-bërësit në nivel qendror dhe vendor të ndërmarrin veprime konkrete dhe efikase kundër dhunës në familje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›