E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria, gati fadromat në sheshin “Skënderbej”:Bashkia të paraqesë lejet ose do ndërhyjmë



Erald Kapri

Nëse Bashkia e Tiranës nuk nxjerr lejet për punimet në sheshin "Skënderbej", atëherë do të ndërhyjë Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për pezullimin e punimeve. Këshilltari i Kryeministrit Sali Berisha për çështjet e Territorit Flamur Kuçi, tha për dje gazetën se ligji parashikon ndërhyrjen e Inspektoratit Qendror. Sipas tij, Bashkia e Tiranës duhet të nxjerrë lejet përkatëse që përcakton ligji për punimet në Sheshin "Skënderbej". Në mungese të tyre, ligji parashikon që Inspektorati të ndërhyjë sa herë që ndodhin ndërtime pa leje. "Ligji parashikon disa leje për punimet, të cilat në rast të mungesës së tyre, ligji parashikon veprimin e Inspektoratit për prishjen e objektit", tha Kuçi. Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar është në drejtimin e Këshillit të Ministrave dhe sipas ndryshimeve të reja ligjore të miratuara në Kuvend, ky Inspektorat vepron kur Inspektoratet lokale nuk ndërhyjnë për prishjen e ndërtimeve pa leje. Ekzekutivi pretendon se Bashkia e Tiranës nuk ka marrë leje mjedisore për ndërtimin në Sheshin "Skënderbej", ç'ka u gjobit me 2 milionë lekë, njëkohësisht nuk ka marrë as lejen nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në reagimin e pak ditëve më parë, Ministri i Turizmit dhe Kulturës Ferdinad Xhaferri deklaroi se Instituti i Monumenteve të Kulturës ka kërkuar nga Bashkia që të mos ndërtohen dy ndërtesa të parashikuara në projekt në aksin e Bulevardit Zogu I-rë, dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë. Më herët në një intervistë televizive, këshilltari i kryeministri Flamur Kuçi tha se plani i Sheshit "Skënderbej" ka probleme. “Paraqet deficenca të mëdha në adresimin e çështjes së trafikut dhe të transportit" tha Kuçi.

Punimet në shesh, firma gërmon 5 metra nën monumentin “Skënderbej”

Ritme për t'u pasur zili me punimet që po kryhen në sheshin "Skënderbej". Dje pasdite, rreth orës 18:00, gërmimi i fadromave vijonte njësoj si herët në mëngjes. Ndonëse po bëhen dhjetë ditë që nga rrethimi me tela i bllokut mes shatërvanit dhe monumentit të heroit tonë kombëtar, kureshtarët nuk mungojnë. Dikush u hedh edhe ndonjë romuz punëtorëve, të tipit "Po lodheni kot, se s'ka për t'ju lënë Qeveria". Këta të fundit duket se nuk e vrasin fort mendjen, por vijojnë të kryejnë me sukses detyrën që u është ngarkuar. Kur i pyet nëse ka ardhur dikush t'u kërkojë që të ndalojnë punën, përgjigjja që merr është "Deri tani jo". Nga sa pohojnë ata vetë, gërmimi ka arritur tashmë në 5 metra thellësi. është pak më shumë se gjysma e asaj që duhet, për të nisur më pas instalimin e dhomës teknike me pompat e ujit. "Ky është vetëm fillimi, se pjesa që vjen më pas është më e vështirë, pasi do vendosen rezervuarët e ujit, do futen tubat. Atëherë fillon tamam puna", thonë punëtorët. Për asnjërin prej tyre nuk ka fort rëndësi çfarë ndodh jashtë atij blloku të rrethuar me tela. Polemikat nëse punimet në shesh do të pezullohen, apo do të vijojnë normalisht, nuk i prekin aspak. "Ne jemi këtu për të mbajtur familjet me bukë, dhe nuk na intereson shumë se çfarë bëjnë ata lart. Këtu na ka sjellë firma për të cilën punojmë. Kur të na vijë urdhri nga ajo që të ndalojmë punën, do ta bëjmë", thonë punëtorët. Projekti që ata po zbatojnë do të zgjasë plot 9 muaj. Në fakt edhe vetë qytetarëve, ajo që u intereson më shumë është që minimalisht në shesh të mos ekzistojnë më ato gropat e frikshme, që u shkatërrojnë makinat. Kthimi i qendrës së Tiranës në një arenë akuzash politike, duket se i lë krejtësisht indiferentë. "Aman t'i japin drejtim njëherë e mirë, se s'po merret vesh ç'po bëhet. Një palë thotë do ta bëjmë sheshin kështu e ashtu, pala tjetër thotë do t'i fusim një dorë asfalt", thotë një nga kalimtarët kureshtarë për punimet që po kryhen.
Devijimi i trafikut
Nëse punimet nuk pezullohen, projekti për rehabilitimin e sheshit "Skënderbej" do të vihet në zbatim në blloqe. është zgjedhur kjo formë për të mos bllokuar tërësisht trafikun. Një nga rrugët ndihmëse që do të ndihmojë të mos ketë kaos është edhe ajo pas Pallatit të Kulturës. Punimet në të kanë përfunduar dhe ka nisur qarkullimi i automjeteve. Ajo është një prej katër akseve, të cilat deri sa të përfundojë ndërtimi i unazës së vogël, do të mundësojë çlirimin e trafikut. Pak ditë më parë u rikonstruktua rruga "Abdi Toptani", një tjetër aks ndihmës, ndërkohë që po punohet paralelisht edhe për rrugët "Bardhok Biba" e "Urani Pano". Rrugët provizore janë parashikuar për përballimin e flukseve tranzit të trafikut, duke mundësuar kështu lehtësimin e punës për rivitalizimin e qendrës së qytetit dhe pakësimin e ndotjes së ambientit dhe zhurmave. Sipas projektit fillestar për rikonstruksionin e sheshit, qarkullimi i automjeteve ishte parashikuar të devijonte në unazën e vogël, ku Qeveria duhej të shpronësonte godinën e INSIG dhe disa shtëpi pas saj. Por kjo gjë nuk ndodhi dhe Bashkia e Tiranës mendoi si zgjidhje vetëm rrugët ndihmëse, në mënyrë që projekti për rehabilitimin e sheshit të mos shtyhej më. Që ditën e parë, punimet nisën ters pasi fill pas inaugurimit nga kreu i Bashkisë Rama, nisën akuzat nga Qeveria. Tre ministri po sulmojnë Bashkinë e Tiranës se po shkel ligjin. Përfaqësuesit e Qeverisë pretendojnë se bashkia ka bërë ndryshime rrënjësore në projektin fillestar. Kjo e fundit hedh poshtë akuzat duke i konsideruar ato tërësisht politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›